Dialogu s’është zëvendësim për anëtarësimin në BE! Kovaçevski dhe Bërns: Maqedonia në BE do të thotë siguri edhe për Evropën

TË FUNDIT

Edhe kryeministri Kovaçevski është me të njëjtin qëndrim me deklaratën e djeshme të ministrit të jashtëm Bujar Osmani, se pritjet e gjata para dyerve të BE-së po e dobëson besimin e qytetarëve. Megjithatë thotë se Maqedonia mbetet në këtë rrugë, ndërsa dialogu strategjik me SHBA-të nuk është zëvendësim për eurointegrimet.

 “Ne do të punojmë, siç kemi punuar deri më tani, për avancimin e legjislatives sonë, për avancimin e proceseve brenda shtetit dhe për rritjen e bashkëpunimit tonë me të gjitha vendet anëtare të BE-së por edhe për rritjen e partneritetit tonë me SHBA-të. Për ne nuk ka alternativë për anëtarësimin  në BE-në për shkak se ne jemi pjesë e Evropës, ne tashmë kemi harmonizuar 45% të legjislatives me atë të BE-së“, pohoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Ambasadorja amerikane Kejt Meri Bërns tha se partneriteti strategjik mes SHBA-ve dhe Maqedonisë është diçka që ka filluar para shumë viteve, ndërsa  tani po avancon, duke theksuar se ky dialog strategjik nuk është zëvendësim të anëtarësimit të Maqedonisë në BE-në.

“Atë që vazhdimisht e tregojmë është se Republika e Maqedonisë së Veriut ka kryer detyra të vështira, se është e gatshme për anëtarësim në BE, duam që ta shohim këtë sa më shpejtë që është e mundur, për shkak se kjo do të thotë më shumë siguri për rajon, për Evropë dhe për marrëdhënie më të forta veri-atlantike.  Ne do të vazhdojmë të bëjmë presion, megjithatë edhe dialogun strategjik do ta avancojmë në çdo aspekt, sepse marrëdhëniet tona bilaterale janë shumë të rëndësishme”, tha Kejt Meri Bërns, ambasadore e SHBA-së.

Maqedonia do të jetë vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që do të mbajë dialog strategjik me SHBA-të më 2 qershor në Uashington. Bashkëpunimi do të zhvillohet në disa sfera siç janë politika e jashtme, ekonomia, investimet, arsimi, mbrojtja dhe disa fusha të thera, ndërsa javën e ardhshme do të definohet ekipi i ministrave dhe ekspertëve që do të marrin pjesë në këtë takim në Uashington.