Dhjetëra gjykatës e prokurorë prej nesër në pension/ Rrezikohet që lëndë gjyqësore të përsëriten ose vjetërsohen

TË FUNDIT

Rreth 60 gjykatës dhe 13 prokurorë që janë mbi 62 ose 64 vjeç prej nesër do të nisin të dalin në pension. Kjo sepse Kuvendi nuk arriti të votojë ndryshimet e Ligjit për Marrëdhënie pune, i cili do t’ua shtynte pensionimin për 3 vjet. Këto ndryshime sot e kishin afatin e fundit për votim, por nuk arritën në seancë plenare, për shkak të interpelancës ndaj kryeparlmanetarit Talat Xhaferi e cila do të zgjasë deri në mesnatë. Këtë për TV21 e konfirmoi edhe shefi i grupit parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitrevski.

“Me shkulje të kabllove, shkatërrim të pajisjeve, grisje të letrave, zvarritje në komisione, e dje me replika ndërmjet veti, sollën në situatë që ligji të dështojë ta arrijë datën në të cilën duhet të sillet. VMRO-DPMNE ndoshta arriti ta shtyjë drejtësinë, por nuk mund dhe nuk do ta parandalojë”.- deklaroi Jovan Mitrevski, Koordinator GP LSDM.

Kreu i opozitares VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i pyetur i kundërshtojnë ndryshimet e këtij ligji, tha me to pushteti ka për qëllim që t’ua zgjasë marrëdhënien e punës gjykatësve dhe prokurorëve partiak.

“Dita do të kalojë dhe do të duhet që këta të dëgjueshmit e verbër partiak të LSDM-së dhe BDI-së të shkojnë në pensionin e pamerituar”.- tha Hristijan Mickoski, Kryetar VMRO-DPMNE.

Ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançevski, paralajmëron për implikime serioze.

 “Shkuarja në pension e gjykatësve dhe prokurorëve publik do të thotë se numër i madh i procedurave do të duhet të nisin që nga fillimi. Të mos harrojmë se nuk bëhet fjalë për një a dy procedura. Kur ndryshohet gjykatësi procesi nis që nga fillimi”.- pohoi Nikolla Tupançevski, Ministër I Drejtësisë.

Tupançevski paralajmëroi po ashtu se rikthimi nga fillimi i disa lëndëve, nënkupton edhe vjetërsim i të njëjtave. Kjo është hera e parë në historinë e sistemit gjyqësor të vendit që kaq shumë gjykatës e prokurorë të dalin në pension. Zgjatja e marrëdhënies së punës së gjykatësve e prokurorëve ka qenë një prej opsioneve që të mos paralizohej sistemi. Ministri tregoi se dy propozimet e tjera janë që avokatë dhe bashkëpunëtorë profesionistë të mund të kyçen në sistem përmes një trajnimi të shkurtër, ose të rritet numri i dëgjuesve në Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë.