Dështon mbyllja e vendkalimit ilegal në “Bit Pazar”! Protesta dhe bllokim i rrugës, ndërhyn policia

TË FUNDIT

Dështoi një përpjekje e autoriteteve për mbylljen e vendkalimit ilegal për këmbësorë afër urës së Bit Pazarit në Shkup.

Derisa autoritetet e qytetit u përpoqën të vendosin pjesën e gardhit për ta mbyllur kalimin, shumë qytetarë e afaristë u mbudhën për ta kundërshtuar.
“Për mbylljen e këtij vendkalimi ilegal në Bit Pazar, bëri që për disa minuta të bllokohet kjo rrugë, për shkak se shumë afaristë që punojnë këtu afër por edhe qytetarë dolën në shenjë proteste për të ndaluar bllokimin e saj” – Fazile Halili, gazetare.

Nga SPB-Shkup thanë për TV21 se u ndërmorën masa dhe aktivitete për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.

E pasi policia qetësoi situatën, rruga u hap, por i hapur mbeti edhe vendkalimi.
Një tregtar na tha se duhet të ketë më shumë vendkalime në këtë pjesë.

-Këtu ambulantë, shkollë, fakultet, të gjitha, duan ta mbyllin. Më parë kanë qe 2 vendkalime, 2 vizëbardha, njëra për Çarshinë njëra për në treg. Tani “geto”.

Kryetari i Qytetit të Shkupit Orce Gjorgjievski dje bëri të ditur se ura do të vendoset në funksion dhe në të njëjtën kohë do të mbyllet vendkalimi.

“Atje tregova se cila do të jetë procedura, nga njëra e gjithë ajo që është vend i uzurpuar, korsi biçikletash, trotuare duhet të largohet dhe në të njëjtën kohë të mbyllet edhe vendkalimi ilegal pasi ka vendkalim tjetër edhe më lartë por edhe më poshtë tek semafori. Ligji është i qartë por atë që dikush ka dashur të bëje rrugicë për të pasur qasje më të shpejtë tek objekti i tij por do të vendosë mijëra qytetarë në rrezik e sidomos të rinj, unë nuk do të lejoj apo toleroj atë”, tha Orce Gjorgjievski.

Përndryshe, kalimi ilegal në zonën e “Bit Pazarit” paraqet rrezik serioz për këmbësorët, pasi shumë qytetarë e shmangin mbikalimin ekzistues dhe kalojnë drejtpërdrejt në rrugë, ku trafiku është i dendur. Mbikalimi aktual është në gjendje të keqe, i pa mirëmbajtur dhe me lift jo funksional prej vitesh, gjë që e ka bërë pothuajse të papërdorshëm.