I kanë shitur shtëpitë dhe të gjitha pronat, janë shpërngulur në Amerikën e Veriut, e tash në Maqedoni rikthehen vetëm si turistë që vijnë për ta vizituar vendlindjen. Këtë përvojë e rrëfen kryetari i Odës së Hotelierisë dhe Turizmit, pranë Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë, Arkan Kerim, i cili ka qenë për vizitë pune në Amerikën e Veriut për ta promovuar turizmin e Maqedonisë. Siç tregon, në Detroit shumica janë nga rajoni i Tetovës. Shumë prej tyre janë që kanë ngelur pa punë nga “Jugohromi” i dikurshëm. Dëshira e tyre është që një ditë të kthehet në vendlindje, pasi Amerika e Veriut është shumë e ftohtë dhe gjatë dimrit temperaturat bien deri në -60 gradë.
“Patëm një takim konkret me odat e Kanadasë dhe Amerikës. Realizuam edhe takim zyrtar me përfaqësitë tona atje, me kompani të shquara ajrore, me mërgimtarët tanë të cilët gjithashtu do të ndihmojnë në drejtim të promovimit. Shumë të shpërngulur që jetojnë atje nuk e kanë vizituar vendlindjen e tyre, prandaj ne do të bëjmë që ta vizitojnë”- Deklaroi Arkan Kerim, kryetar i odës së hotelierisë dhe turizmit.
Me shumë gjasa në shtator ose tetor, Oda Hotelierike bashkë me partnerët nga Turqia do të organizojnë mbrëmje në Toronto, Çikago dhe Nju Jork për t’i promovuar potencialet e turizmit, jo vetëm të Maqedonisë, por edhe të vendeve të tjera të Ballkanit.
“Taneci” është ambasadori më i madh kulturor dhe turistik i Maqedonisë. Kishin performancë të mrekullueshme në kontinentin e Amerikës së Veriut. Më besoni se unë në koncertet që mora pjesë nuk mundesha t’i kontrolloja emocionet. Të shpërngulurit tanë që ishin në koncert qanin…- tha Arkan Kerim.
Jo vetëm tanët, por edhe amerikanët e pranishëm në koncert me admirim e ndoqën koncertin origjinal dhe treguan interes për kulturën tonë, shton Kerim. Janë mbi një milion të shpërngulur nga vendi që jetojnë në Toronto, Detroit, Nju Xhersi dhe Çikago.
Kryetari i Odës së Hotelierisë dhe Turizmit thotë se duhet të ketë nisma, gjë që u mungon agjencive turistike vendase. Nuk mund të pritet që turistët të trokasin në derën tonë, ata duhet të tërhiqen që ta vizitojnë vendin. Një nga problemet me të cilat ballafaqohet dega e turizmit është fuqia punëtore. Shton se me të gjitha rritjet, është e nevojshme të rriten edhe çmimet e kapaciteteve akomoduese në vend.
