Futbollisti shkupjan Jasir Asani pa dyshim ishte figura më e shquar në trevat shqiptare për vitin 2023. Ai nëpër shumë evente u nderua me titullin personazh i vitit për kontributin e tij me kombëtaren shqiptare të futbollit. Asani, i lindur dhe rritur në Shkup, ka shkëlqyer në fushën e lojës në ndeshjet kualifikuese për Euro 2024 duke qenë udhëheqësi i padiskutueshëm në ekipin kombëtar. Për TV21 Asani tregon se që në fëmijëri ëndrra e tij ka qenë që një ditë ta vesh fanellën kuqezi.
“Kam pasur ftese edhe nga Maqedonia dhe i respektoj shumë sepse jam lindur këtu, por gjithsesi dëshira ime që në fëmijëri ka qenë të luaj të kombëtarja e Shqipërisë, që një ditë ta veshi atë fanellë dhe t’i bëjë krenar të gjithë dhe më në fund e bëmë atë që për herë të dytë të kualifikohemi për në Gjermani dhe tani e kemi punën të më të vështirë”, tha Asani.
Asani ishte vendimtar për suksesin e Kombëtares Shqiptare në kualifikime duke shënuar gola spektakolar.
“Janë golat më të bukur që kam shënuar në karrierë, deri tani. Ndoshta do të shënoj ende por këto gola mund t’i veçoj sepse janë golat më të mirë që kam shënuar dhe që i dhanë Shqipërisë kualifikimin në evropian për herë të dytë”.
Shorti i Euro 2024 deshi që Shqipëria në qershor të përballet me tre kombëtare të fuqishme si Italia, Spanja dhe Kroacia. Por Asani thotë se Shqipëria jo rastësisht është aty beson që kuqezinjtë do ta kalojnë edhe fazën grupore.
“Prandaj jemi aty. S’është rastësi që kemi qenë në vend të parë në grup me Poloninë dhe Çekinë, mos ta harrojmë edhe Moldavinë”.
Kontributi i Asanit në vitin 2023 për kombëtaren Shqiptare do të mbetet një kapitull i shkëlqyer në historinë e futbollit shqiptar. Asani tashmë është bërë një frymëzim për gjeneratat e reja dhe një ambasador i denjë për futbollin shqiptar.
