Deri të martën pritet që mandatari Dimitar Kovaçevski në Kuvend të dorëzojë listën e përbërjes së re të Qeverisë. Socialdemokratët gjatë ditës së sotme mbajnë takime pune, ndërsa pritet që nesër para organeve më të larta të partisë të prezantohet ekipi i planifikuar për Qeverinë e re.
“Nesër do të kemi Kryesinë Qendrore dhe atë Ekzekutiv. Pas seancës do të informojmë për vendimet”, thonë nga LSDM.
Nga 17 janari pritet që të gjithë ministrat e rinj të zgjedhur të jenë në krye të detyrës. Kuvendi nesër kthehet në punë dhe do të mbahet edhe koordinimi i parë mes kryeparlamentarit Talat Xhaferi dhe shefave të grupeve parlamentare. Në takimin e fundit me gazetarët, kryetari i Kuvendit pati deklaruar se nëse propozimet për qeverinë e re dhe programi parashtrohen më 10 ose 11 janar, Qeveria e re mund të votohen deri në mesnatën e 16 janarit.
“Pritshmëritë e mija janë që mandatari nuk do të shkon në afatet e fundit. Kështu që ka paralajmërime dhe mundësi që diku më 10 janar eventualisht 11 janar të dorëzohet përbërja e Qeverisë së re dhe programi dhe në bazë të saj do të duhet në koordinim me grupet politike partiake varësisht nga angazhimet që kanë të përcaktojmë brenda 15 ditëve në cilin moment dhe në cilat dy ditë do të punohet për zgjedhjen e Qeverisë së re”, u shpreh kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi (28.12.2021).
Ende nuk janë konfirmuar emrat e rinj nga radhët e socialdemokratëve që do të zënë vend në ekzekutiv. Nga ajo dihet deri më tani është se në përbërjen e re nuk do të jetë zëvendëskryeministri Nikolla Dimitrov, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ministrja e Arsimit, Milla Carovska dhe ajo e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.
Përveç largimeve do të ketë edhe rokada. Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq me shumë gjasa do të ulet në kolltukun e zëvendëskryeministrit për eurointegrime. Thuhet se ish-kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov do të jetë ministër i Transportit dhe Lidhjeve.
Jozyrtarisht flitet se nënkryetarja e re e partisë, deputetja Bisera Kostadinova-Stojçeva do të jetë ministre e re e Kulturës, ndërsa Trajan Dimkovski do të bëhet Ministrër i Bujqësisë. E sa i përket emrave nga partneri më të ri të koalicionit, Alternativa, Bekim Sali do të jetë ministër i Shëndetësisë, Admirim Aliti, ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Daim Luçi – zëvendësministër i Kulturës, ndërsa Orhan Murtezani, drejtor në MEPSO i cili tashmë ka marrë postin dhe detyrën.
