Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se në rrugëtimin e tij politik nuk ka vendosur asnjëherë vija të kuqe për komunikim apo bashkëpunim, kur në pyetje është interesi i vendit.
“Asnjëherë gjatë gjithë rrugëtimit tim politik nuk kam vendosur vija të kuqe për komunikim apo bashkëpunim në momentet kur është interesi i vendit. Publikisht e kam thënë, të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare i kemi përkrahur, nuk jemi kundër ligjeve por kundër procedurave, tha Hamza.
Ai shtoi se nuk e kupton ndarjen politike në “të fortë” dhe “të butë”, duke theksuar se politika matet me rezultate konkrete.
“Unë nuk e kuptoj këtë ‘i fortë’ dhe ‘i butë’”, u shpreh ai.
Hamza foli edhe për ndikimin e rritjes së pagave dhe inflacionit, duke thënë se përmirësimi nuk është real.
“Rritja e fundit, paga e 13-të, a e dini sa bën me rritjen vjetore? 8%, inflacioni 7.5%, dmth paga e 13-të është neutralizuar”, tha ai.
Ai theksoi se PDK nuk e përjashton askënd nga bashkëpunimi politik, por se çdo marrëveshje duhet të bazohet në programe dhe përmirësim të jetës së qytetarëve.
“Derën nuk ia mbyllim askujt, por kjo nuk do të thotë që është garanci për bashkëqeverisje. Nuk është çështje kush sa ministri i merr, por për çfarë dakordohemi për përmirësimin e jetës”, deklaroi Hamza.
Në fund, ai theksoi se në Kosovë zgjedhjet janë për Kuvendin dhe se pozitat ekzekutive janë rezultat i marrëveshjeve pas zgjedhjeve.
