Deputetët gjermanë heqin dorë nga rritja e pagave

TË FUNDIT

Deputetët në Parlamentin gjerman do të heqin dorë nga rritja e rregullt e pagave këtë vit për shkak të krizës së shkaktuar nga pandemia e virusit korona.

Paga e tyre për momentin është 10.080 euro, ndërsa në qershor duhej të rritej në 10.345 euro. Krahas kësaj, ata marrin 4.400 euro për shpenzime të tjera.

“Vlerësojmë se rritja e pagës së deputetëve gjatë kohës së krizës më të madhe e cila e kaploi Gjermaninë gjatë viteve të fundit, do të ishte problematike”, deklaroi një nga anëtarët e grupit të deputetëve demokristianë Mihail Grose-Bremer.

Edhe grupet tjera parlamentare sinjalizuan gatishmëri për heqje dorë nga rritja.

“Socialdemokratët angazhohen për anulimin e rritjes së pagave dhe unë besoj se së shpejti do të arrihet marrëveshje me përfaqësuesit e grupeve të tjera parlamentare për këtë çështje”, tha kryetari i Partisë Socialdemokrate, Rolf Muceniç.

Zëdhënësi i Partisë Liberale-Demokratike Marko Bushman e quajti këtë veprim logjik.

“Në kohën kur bizneset përgjatë gjithë vendit shënojnë rënie të madhe të qarkullimit dhe kur vendosen masa, siç është punë me orar të shkurtuar të punës, gjithçka tjetër përveç anulimit nga rritja e pagave, do të ishte vendim i çuditshëm”, tha Bushman/MIA