Deputetët nga BESA që hynë në Kuvend përmes listave të LSDM-së sot përmes letrës me shkrim e njoftuan kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi se do të veprojnë në kuadër të koalicionit “Mundemi” me LSDM-n, por si të pavarur.
Ata, siç është konfirmuar nga Kabineti i Xhaferit për MIA-n, e kanë informuar kryetarin e Kuvendit se kjo nuk do të ndryshojë asgjë në funksionimin e Koalicionit, por duan vetëm të udhëhiqen si deputetë të pavarur nga partia BESA.
BESA, pasi ka vetëm katër deputetë, nuk mund të formojë grup deputetësh dhe për këtë arsye këto deputetë do të llogariten si të pavarur.
Javën e kaluar, kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi i arriti njoftim për formimin e katër grupeve parlamentare, përkatësisht koalicioni “Mundemi” të udhëhequr nga LSDM-ja dhe Besa, nga BDI, nga koalicioni “Ripërtëritja për Maqedoninë” i udhëhequr nga VMRO DPMNE dhe koalicioni Aleanca dhe Alternativa për Shqiptarët.
Për t’u formuar grup parlamentar sipas rregullores së punës parlamentare, të paktën pesë deputetë janë të nevojshëm. Koordinatorët e grupeve parlamentare marrin pjesë në takimet me kryetarin e parlamentit për rrjedhën e seancave dhe pikat e rendit të ditës.
