Deputetë, kryetarë e ministra dhuruan gjak! Ambasada e SHBA-ve përkujton ditën e 11 shtatorit

TË FUNDIT

Pushtet e opozitë, përfaqësues të bashkësive fetare, e përfaqësues të korit diplomatik u mblodhën në oborrin e Ambasadës së SHBA-ve, për të dhuruar gjak.  Ambasada e ShBA-ve në Shkup sot shënoi ditën kombëtare për Shërbim dhe Përkujtim të afërsisht 3000 viktimave nga sulmet terroriste në Nju-Jork më 11 shtator të vitit 2001.

Ambasadorja në largim, Kejt Mari Bërnz theksoi se ky aksion realizohet për 12 vite me radhë dhe është simbol i shkëlqyeshëm i partneritetit mes SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut.

 “Duke u bërë vullnetarë, duke punuar së bashku, duke u kujdesur për ata në nevojë, ne të gjithë mund të bëjmë pjesën tonë për të ndihmuar vendet dhe komunitetet tona që të qëndrojnë elastike përballë fatkeqësive ose tragjedisë. Kjo është ajo që ka të bëjë me Ditën e Shërbimit dhe Përkujtimit, dhe kjo është ajo që organizata si Kryqi i Kuq, me më shumë se 300 vullnetarë vetëm në Maqedoninë e Veriut, na ndihmojnë të arrijmë”, tha Kejt Meri Bërns, ambasadore e SHBA-ve.

Sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq, Sait Saiti tha se ngjarja tragjike që ndodhi para 21 viteve është kujtim i dhimbshëm jo vetëm për popullin amerikan, për gjithë botën.

 “Tragjeditë e mëdha na përkujtojnë se është e nevojshme të jemi të përgatitur për ndërhyrje në kohë, të respektojmë dhe çmojmë humanizmin dhe solidaritetin, por edhe të nderojmë ata që janë në radhët e para kur ndodhin ngjarje të vështira”, pohoi Sait Saiti, sekretar i Përgjithshëm i Kryqit të Kuq.

Nga Instituti për mjekësi të transfuzionit thonë se numri i dhuruesve të gjakut vazhdimisht rritet.

 “Dhurimi i gjakut është akti më i lartë i altruizmit dhe dëshira për të ndihmuar të sëmurit dhe te panjohurit. Na vjen shumë mirë që numri i dhuruesve të gjakut në këtë aksion për dhurim të gjakut nga viti në vit po rritet dhe shpresojmë se kjo traditë dhe bashkëpunimi i bukur do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, pohoi Rada Gruboviq, udhëheqëse e Institutit për Mjekësi të Tranfuzionit.

Në këtë aksion, përveç dhurimit të gjakut, dhurohen edhe produkte ushqimore që do të shpërndahen për nevojtarët. Aksioni do të vazhdojë tre ditë në “Dare Xhambaz”, ku gjak do të dhurojnë pjesëtarët e Armatës, policisë, por edhe çdo qytetar i interesuar.