SHBA-të presin që grupet punuese të vazhdojnë me punën e tyre lidhur me zbatimin e detyrimeve nga Marrëveshja e Përzhinos, ndërsa partitë politike interesat e shtetit t’i vendosin në plan të parë, me çka, do ta reformojnë përkushtimin drejt integrimeve euroatlantike të Republikës së Maqedonisë.
Kështu deklaroi dje zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Xhon Kirbi në takimin e rregullt me gazetarët në pyetjen në lidhje me krizën në Maqedoni. “I inkurajojmë udhëheqësit e Maqedonisë që, duke e implementuar marrëveshjen politike të 16 korrikut, ta përforcojnë përparimin e arritur. Kjo gjë do të paraqiste mënyrën më të lehtë për dalje nga kriza dhe rrugë për mbajtjen e zgjedhjeve të besueshme në prill të vitit të ardhshëm. Partitë tani e lëshuan afatin kyç për t’u dakorduar për çështje serioze lidhur me formimin e një qeverie teknike, me mbrojtjen e denoncuesve, si dhe me mbrojtjen e privatësisë”, tha Kirbi.
Sipas tij, me emërimin e Katica Janevës për prokurore speciale muajin e kaluar, liderët maqedonas kanë bërë hap të rëndësishëm, prandaj tani asaj duhet t’i sigurohen resurset dhe stafi që ajo e ka kërkuar, në mënyrë që ta kryej mandatin e saj.
Kirbi nënvizon se “partitë politike nuk duhet të ndikojnë ose ta pengojnë këtë punë”.
“Shpresojmë që, ashtu si grupet punuese i vazhduan bisedimet, të gjitha palët, do t’i vendosin interesat e shtetit në plan të parë, duke e riafirmuar kësisoj përkushtimin për integrimin euroatlantik të Maqedonisë”, thekson zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.
