Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në New York, ka zhvilluar një takim me kongresistin amerikan George Latimer, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet në Kosovë, bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe çështjet e sigurisë në rajon.
Kurti ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se në takim është diskutuar për zhvillimin ekonomik, përparimin në fushën e sigurisë dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
“Diskutuam për zhvillimin ekonomik, përparimin në siguri, forcimin e pozitës sonë ndërkombëtare dhe partneritetin e fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë bashkëpunimin në mbrojtje dhe zhvillim”, ka shkruar Kurti.
Një nga temat e ngritura nga kryeministri ishte edhe prania ushtarake amerikane në Kosovë. Kurti tha se ka ritheksuar qëndrimin e Qeverisë së Kosovës që Kampi Bondsteel të shndërrohet në bazë të përhershme ushtarake amerikane.
“Ritheksova qëndrimin tonë që Kampi ‘Bondsteel’ të shndërrohet në bazë të përhershme ushtarake amerikane, në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjate në rajon”, deklaroi Kurti.
Në takim është diskutuar edhe çështja e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, përfshirë varrezat masive dhe nevojën për qasje në dokumentacionin arkivor të Serbisë.
“Biseduam për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit, varrezat masive, rëndësinë e deklasifikimit të dokumentacionit dhe hapjes së arkivave nga Serbia si dhe nevojën për drejtësi për krimet e kryera”, tha Kurti.
Sipas tij, pjesë e diskutimit ishte edhe situata e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, me theks te diskriminimi dhe respektimi i të drejtave të tyre.
“E sikurse në takimet tjera folëm për diskriminimin dhe shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, shkroi kryeministri.
Kurti bëri të ditur se me kongresistin Latimer është diskutuar edhe për sulmin në Banjskë dhe rastin e Milan Radoiçiqit. Ai tha se çështja është ngritur sërish në kuadër të kërkesës për përgjegjësi ligjore.
“Në prag të trevjetorit të sulmit terrorist paramilitar në Banjskë, ngritëm sërish çështjen e Milan Radoiçiqit dhe domosdoshmërinë që ai dhe përgjegjësit tjerë të përballen me drejtësinë në Republikën e Kosovës”, deklaroi Kurti.
Në fund, kryeministri vlerësoi marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, duke theksuar mbështetjen që, sipas tij, Kosova gëzon në Kongresin amerikan.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati ynë i çmuar. Jemi thellësisht mirënjohës për miqësinë tonë të qëndrueshme dhe mbështetjen dypartiake që shteti ynë gëzon në Kongresin amerikan”, ka shkruar Kurti.
