Kërcënimet për bomba vazhduan edhe sot. Kësaj here paraqitje për mjete shpërthyese kishte në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, në FFM, Sallën e Sporteve “Boris Trajkovski”, Arenën “Todor Proeski”, hotelet “Aleksandar Palace” e “Marriott”, në “East Gate” dhe disa shkolla. Ndryshe, në hotelin “Aleksandar Palace” në orën 10 kryeministri Dimitar Kovaçevski duhej të merrte pjesë në konferencë për media, por e anuloi. Pas marrjeve të denoncimeve për bomba, kompania që menaxhon me Aeroportin e Shkupit, TAV ka bërë të ditur se fluturimet për sot nuk janë anuluar, por që janë ndërprerë deri sa MPB të kryej kontrollet e nevojshme. Nga TAV thonë se fluturimet do të realizohen sipas orarit, pasi të përfundojnë kontrollet e policisë.
“Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit përmes e-mailit mëngjesin e sotëm ka marrë kërcënim për vendosje të mjetit shpërthyes. Informacioni u raportua menjëherë në Ministrinë e Brendshme dhe në të njëjtën kohë i gjithë personeli dhe të gjithë pasagjerët dhe/ose kalimtarët që u gjetën në aeroport janë evakuuar shëndoshë e mirë.”- thonë nga TAV.
E rëndësishme është që të reagojmë shpejtë në këto raste dhe të njëjtën po e bëjmë, tha i pari i policisë Oliver Spasovski. Ai jep shpresë se së shpejti do të zbulohet edhe se kush po qëndron pas e-mail porosive me përmbajtje kërcënuese.
“E dini së në Shkup kemi zbuluar një rast edhe atë për një ditë, në rrugë të drejtë jemi të zbulojmë edhe një rast tjetër në Kavadar. Punojmë vazhdimisht me partnerët tanë ndërkombëtarë, me të gjitha organizatat ndërkomëbtare, që mund të ndihmojnë në këtë pjesë, me qëllim që të vijmë deri te zbulimi.”- deklaroi Oliver Spasovski – Ministër I Brendshëm.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani thotë se tashmë kanë njoftuar strukturat e NATO-s për denoncimet e vazhdueshme për mjete shpërthyese në Maqedoninë e Veriut. Thotë se bëhet fjalë për kërcënime hibride që po ndodhin edhe në rajon.
“Kjo ndodh në rajon. Mali i Zi ka vendosur që shkollat të jenë online për shkak të paralajmërimeve të përditshme për mjete eksplozive në Mal të Zi, e njëjta ndodh në Kroaci dhe kjo më ka dhënë një sinjal se është qasje rajonale si sulm hibrid ndaj rajonit, për çka ishte në një mënyrë arsye për ta alarmuar NATO-n. Dje kemi komunikuar me strukturat e NATO-s, për të parë se çfarë qasje hibride ndaj rajonit mund të ndodhë, ku mund të jetë arsyeja.”- pohoi Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.
Të gjitha kërcënimet për bomba, si ato të ditëve të kaluara, edhe këto të sotmet, kanë rezultuar të rrejshme. Kanë kaluar dy muaj që në vazhdimësi ka alarme për vendosje të mjeteve shpërthyese, mirëpo MPB ende nuk e ka zbuluar se kush po dërgon mesazhe të këtilla.
