Gjykata Penale shpalli fajtor Trajko Veljanovskin, Mile Janakieskin, Spiro Ristovski dhe Vlladimir Atanasovski si organizatorë të ngjarjeve të përgjakshme të 27 prillit. Për veprën penale “Kërcënim terrorist ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë” ata gjithsej u dënuan me 25 vite burg.
Trajko Veljanovski dënohet me 6 vite e 6 muaj
Mile Janakieski dënohet me 6 vite e 3 muaj
Spiro Ristovski dënohet me 6 vite e 3 muaj
Vlladimir Atanasovski dënohet me 6 vite
Gjykatësi i lëndës Ilija Tërpkov tha se të gjitha të gjitha dëshmitë kanë treguar se personat që akuzohen janë edhe organizatorë të ngjarjeve në Kuvend. Sipas gjykatës, Trajko Veljanovski si kryetar i Kuvendit, ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me ish kryeministrin në arrati Nikolla Gruevski dhe me qëllim e ka shtyre zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri, respektivisht ka penguar pranim-dorëzimin e qetë të qeverisjes.
“A do të ndodhte hyrja e dhunshme më 27 prill në Kuvend, nëse e gjithë kjo nuk do të ishte e organizuar dhe e paramenduar? Kuptohet që jo! Vetëm me plan të mirë dhe të organizuar mundej të hyhej në shtëpinë ligjvënëse, të pengohej puna e saj dhe marrja e vendimeve”, tha Tërpkov.
Sipas gjykatësit, Spiro Ristovski dhe Mile Janakieski në mënyrë aktive kanë marrë pjesë në organizmin e protestave të cilat në opinion ishin paraqitur si protesta të qytetarëve. Kanë angazhuar figura të njohura publike, që të paraqiten në protesta e të marrin fjalën dhe janë marrë me gjithçka rreth protestës. Ndërsa roli i Vlladimir Atanasovski ka qenë që të angazhojë shoqatat patriotike dhe është kujdesur që të mos ketë policë mjaftueshëm para Kuvendit.
Të gjithë të akuzuarve, ju shqiptua masa e arrestit shtëpiak, edhe pse prokuroria kërkoi paraburgim për shkak të ekzistimit të rrezikut për arratisje nga vendi, si pasojë e lidhjeve që kanë, si ish-funksionarë dhe njerëz me pozita të larta.
I akuzuari, Mile Janakieski tha se është e mjaftueshëm masa arrest shtëpiak, duke shpjeguar kontrollet e përditshme që bën policia tek ndërtesa e tij.
“Që nga arratisja e Sasho Mijallkovit, çdo ditë mua më ruajnë mbi 8 policë. Çdo veturë që hy dhe del nga ndërtesë ime i bëhet kontroll i detajuar. Tani që është moti i nxehtë, policët rrinë edhe në korridor të ndërtesës, dhe për 24 orë jam nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga 1 ose 2 vetura”, tha Jankieski.
Edhe Ristovski premtoi se nuk do të arratisej dhe se edhe më tutje do të respektojë vendimet e gjykatës.
“Nuk ka arsye se përse tani të bëhet presion shtesë mbi ne dhe familjet tona me dyshimet për arratisje. Ju siguroj dhe garantoj, ashtu siç deri tani kam respektuar gjykatën edhe më tutje do të veproj njëjtë dhe do t’i respektoj rregullat dhe vendimet e gjykatës”, tha Ristovski.
Hetimi për këtë rast përfshiu gjithashtu edhe ish-kryeministrin Nikolla Gruevski dhe ish-punonjësin e DSK-së Nikolla Boshkovski, por procedura për ta është ndërprerë për shkak se të njëjtit janë në arrati dhe janë të pakapshëm për organet e rendit.
