Demontimi i spitalit prej çadrave! Filipçe: Për fat të mirë nuk patëm nevojë ta përdorim

TË FUNDIT

Ky spital mobil u instalua në fillim të prillit për t’i shërbyer pacientëve me koronavirus. E pas një muaji Ministria e Shëndetësisë pa e futur në funksion vendosi që ta demontojë.

Spitali ishte vendosur menjëherë pranë Klinikës për sëmundje infektive që në rast se mbushej kapaciteti, pacientët të mund të hospitalizoheshin në këto çadra. Në pyetjen e TV21 se përse ministri Venko Filipçe e ka demontuar spitalin mobil kur pret valë të re të virusit korona, ai tha se kanë marrë një donacion nga Zvicra dhe tani në vend të çadrave ka baraka.

“Janë demontuar çadrat nga ushtria. Spitali ishte kapacitet që më së shpejti kemi mundur ta rregullojmë për ta pasur në dispozicion, për fat nuk na u desht në asnjë moment, në ndër kohë nga një donacion zviceran u vendosën barakat. Këto tani janë kapacitet tërësisht i mjaftueshëm që planifikojmë ta shfrytëzojmë për qëllime tjera  në rast se nuk kemi pacientë me korona e shpresoj që të mos kemi asnjëherë. Për momentin me këtë donacion, çadrat ishin të ekspozuara në kohë dhe rrezik që të prishen. Kjo është arsyeja pse i demontuam”, tha Venko Filipçe, ministër i shëndetësisë.

Gjithisej në këto 12 baraka ka 72 shtretër.

Gazetare: Almedina Ismajli

“Në rast se numri i të infektuarve me Covid-19 rritet ose nëse kemi një valë të re të virusit, Ministria e Shëndetësisë ka paraparë që nëse mbushet kapaciteti i Spitalit për sëmundje infektive pacientët të shtrihen në këto baraka”.

Klinika për sëmundje infektive posedon rreth 110 shtretër. Në 24 orët e fundit janë hospitalizuar 5 pacientë të rinj  me korona, e gjithsej të hospitalizuar ka 46 pacientë. Dy janë në respiratorë dhe 4 me pasqyrë më të rëndë klinike.