Demiri merr mbështetjen që të bëhet anëtar i KSHZ-së, mbetet që me shumicë prej 2/3 të zgjidhet në seancë

TË FUNDIT

Pa debat, me 10 vota “për” dhe një “i përmbajtur” në Komisionin kuvendor për Zgjedhje dhe Emërime kaloi kandidati i opozitës shqiptare, Abdush Demiri për anëtar të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Seanca po mbahet një ditë pasi partia e Arijanit Hoxhës tërhoqi kandidaturën e Zylfi Adilit për anëtar të KShZ-së, pasi me muaj të tërë gjatë seancave në një atmosferë mjaft të tensionuar assesi nuk mundej të plotësohej vendi bosh në KShZ. Kryetarja e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, Marija Georgievska, në seancën e sotme ku askush nuk u paraqit për fjalë, kishte detyrë të lehtë.

“Propozimi i partisë politike, Alternativa, propozimi i partisë politike, Lëvizja Besa dhe propozimi i partisë politike, Lëvizja Demokratike është që z.Abdush Demiri të zgjidhet anëtar i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Propozimin e partive të lartpërmendura që Abdush Demiri të zgjidhet anëtar i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve po e vendos në votim. Ju lutem votoni. Kush është “për”?”, tha Marija Georgievska, kryetare e Komisionit për zgjedhje dhe emërime.

Pas përcaktimit të Demirit si kandidat për anëtar të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, zgjedhja e tij duhet të bëhet në seancë plenare me shumicë prej dy të tretave, pra me të paktën 80 vota. Për momentin nuk ka informacione se kur do të caktohet seanca, por sipas disponimit të Komisionit, ku pushteti dhe opozita e mbështetën Demirin, pritet që me konsensus të gjerë Demiri të zgjidhet përfaqësues i opozitës shqiptare.

“Mendoj se i njëjti princip që u respektua deri më tani gjatë formimit të KSHZ-së, edhe tani duhet të respektohet. Në të kaluarën ne kemi votuar kur zgjidheshin anëtarë të KSHZ-së nga ana e LSDM-së, BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së. Tani sipas principit të njëjtë duhet ta mbështesin kandidatin tonë. Mendoj se sot shumica tregoi vullnet se kur duan, mund t’i respektojnë ligjet dhe Rregulloren e Kuvendit, nëse sot treguan se munden, atëherë do të duhej edhe në seancën plenare ta tregojnë të njëjtën gjë”, deklaroi Fadil Zendeli, Lëvizja Besa.

Pas kësaj pritet që opozita shqiptare shumë shpejt të kthehet në punën e Kuvendit duke marrë parasysh se deri më tani e bojkotoi për shkak të pengimit të zgjedhjes së anëtarit të KSHZ nga radhët e tyre.