Në daljen e parë publike si Ministër i Shëndetësisë, Ilir Demiri, tha se do të vazhdojë të gjitha projektet që i ka lënë në gjysmë paraardhësi Fatmir Mexhiti.
“Çdo projekt që është i filluar do të vazhdojë, do të ketë kontinuitet në sistemin shëndetësor dhe do të mundohemi që këtë periudhë parazgjedhore maksimalisht të respektohen të gjitha normativat ligjore e në mënyrë të veçantë trajtimi i pacientëve”, tha Ilir Demiri – ministër i Shëndetësisë.
Por deklarata e Demirit ndryshoi kur u pyet konkretisht për garazhet në kate, një problem që i tangon të gjithë pacientët që shkojnë për trajtim në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”. Përderisa ish Ministri Mexhiti pati thënë se pret vetëm një nënshkrim nga zv/kryeministri Artan Grubi për të zgjidhur problemin me parkimin, ministri aktual Demiri tha se do ta ndërpresë projektin.
“Garazhet në kate kanë qenë një premtim shumë i përfolur i ministrit paraprak dhe ka thënë se vetëm një nënshkrim ka ngelur nga ana e qeverisë. A e dini deri ku është projekti?
-Mendoj se ajo më tepër paraqet konotacion politik parazgjedhor se sa real. Ky projekt do të ndërpritet sepse për momentin nuk ka kushte për t’u realizuar”, pohoi Ilir Demiri – ministër i Shëndetësisë.
Ndonëse kanë qenë miq dhe kolegë të mirë, zhvillimet në ASH që solli ndarjen në dy grupime dhe shkarkim ministrash që përkrahën Taravarin, i ka acaruar raportet mes Demirit e Mexhitit. Ky i fundit nuk e ka uruar ende për detyrën.
-A ju uroi Z. Fatmir Mexhiti për detyrën e re si ministër?
-Sinqerisht jo.
-Ai ka thënë se jeni kolegë të mirë.
Jo kolegë por edhe miq të mirë. Ende jo.
E pyetëm edhe ish-ministrin Fatmir Mexhiti. Nuk deshi të komentojë për ndërprerjen e projektit për garazhet në kate. Por kur e pyetëm pse nuk e ka uruar mikun e tij dhe nuk kanë bërë pranim-dorëzim detyre, Mexhiti tha se këtë do ta bëjë pas zgjedhjeve.
“Pranim dorëzimi do të bëhet me 20 maj”, tha Fatmir Mexhiti, ish-ministër i Shëndetësisë.
Përndryshe për shkak se jemi në periudhë parazgjedhore, ministri i ri i shëndetësisë Demiri thotë se edhe konkurset që u shpallën për punësime nëpër klinika do të ndërpriten deri në zgjedhje, ndërsa punonjësve shëndetësore do t’u vazhdohen kontratat.
