Dëmet e breshërit dhe shirave, bujqit e Tetovës hasin në vështirësi për dëmshpërblim

TË FUNDIT

Mbi 160 persona kanë bërë kërkesë në komunën e Tetovës për të marrë dëmshpërblime nga dëmet e shkaktuara nga breshëri dhe shiu gjatë javës së kaluar. Sipas komunës së Tetovës, kërkesat më të shumta janë për tokë bujqësore në vendbanimet Xhepçisht, Falishtë dhe Shipkovicë.

“Deri në këto moment numri i kërkesave për dëmshpërblim është 160. Shumica e këtyre kërkesave janë për tokë bujqësore. Vetëm 10 janë për dëm të tokës private , shtëpive dhe pesë për dëmshpërblim të veturave. Ajo që duam të theksojmë është se dëmshpërblimin e veturave nuk e merr përsipër komuna e Tetovës por sigurimi automjeteve”, tha Albion Aliti – Komuna e Tetovës.

Për të marrë dëmshpërblim për tokë bujqësore, duhet të kesh tokën në emrin tënd ose të kesh një kontratë për shfrytëzim, thonë nga komuna e Tetovës.

“Në bazë të bisedës të kreut të komunës me ministrinë e bujqësisë është dakorduar që personat që kanë fletë pronësi të tokës bujqësore ata mund të kërkojnë dëmshpërblim dhe një metodë tjetër është që deklarimi përmes noterit që personat paraprakisht  janë marr veshë që të shfrytëzojnë tokën bujqësore, dhe atëherë qytetari mund të marr dëmshpërblim”.

Por bujqit thonë se 80% të tokës e kanë marrë me qira dhe se pronarët e tokës nuk pranojnë të bëjnë marrëveshje me ta. Kjo e pamundëson që bujqit të dëmshpërblehen për dëmet.

“Na i marrim tokën me qira shumicën e tokave me qira diku 80 % e kam me qira, dhe nuk bëjmë kontrata se mentaliteti është se ata mendojnë se do të bëjmë dallavere me tokën dhe ne parashtruam  pyetje edhe kryetarit të komunës dhe të dy ju larguan kësaj pyetje. Ne kërkojmë nga pronarët kontratë ai na anashkalon”, u shpreh Besnik Saliu, bujk.

Dëmet në bujqësi janë 100%. Bujqit thonë se, nëse nuk marrin dëmshpërblim nga shteti, nuk do të mund të mbijetojnë këtë vit dhe nuk do të kenë mundësi të mbjellin vitin e ardhshëm. Qytetarët mund t’i paraqesin dëmet deri të premten, pas së cilës komisioni komunal do të dalë në terren për t’i vlerësuar ato.