Debati për NJZ 1 në TV21, partitë shtrëngojnë argumentet

TË FUNDIT

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev duhet t’ju kërkojë falje shqiptarëve për deklaratën se është i gatshëm që t’i japë ose t’i kërkojë mandate deputetësh VMRO-DPMNE-së për të formuar Qeverinë e ardhshme, me të vetmin qëllim që të mos pranojë kurrëfarë kushtëzimesh për kryeministër shqiptar nga BDI.

“Sa i përket deklaratës së kryetarit të LSDM-së për llogarinë time ishte një gaf skandaloz i cili e sheh gatishmërinë e vet që të bashkëpunojë me koalicionin po ashtu maqedonas VMRO duke i dhënë deputet ose duke i marrë për të vetmen shkak që të mos shoh mundësinë që edhe partitë apo koalicioni jonë shqiptar që ta tregojë gatishmërinë për një udhëheqës të mirë të qeverisë. Është gaf që do të duhet t’i kërkojë falje shqiptarëve nga se në këtë shtet nuk bëhet koalicion mes partive maqedonase në dëm të shqiptarëve”, tha Zejd Rexhepi nga Alternativa – koalicioni “Tash është koha”.

Ideja e kryeministrit shqiptar është njëra ndër temat që dominon këtë fushatë zgjedhore, tha Izet Mexhiti nga BDI duke u shprehur se BDI-së i vjen mirë për këtë gjë.

“Mendoj se të gjithë këtu do të pajtoheni se politikën e udhëheqin idetë dhe ideja e BDI-së i ka gjetur të papërgatitur dhe të befasuar edhe oponentët tanë më të vegjël shqiptarë po edhe palën maqedonase dhe mua më vjen mirë që edhe ato që e pëlqejnë idenë dhe ato që nuk e pëlqejnë idenë merren me idenë e BDI-së pra me kryeministrin shqiptar dhe është një ndër temat që udhëheq këtë fushatë zgjedhore.”, tha Izet Mexhiti nga BDI.

Ndërsa Timço Mucunski nga VMRO-DPMNE tha se LSDM kur mori në koalicion Lëvizjen BESA nuk tha se janë më cilësor por vetëm sa për të shtuar një ngjyrë më shumë etnike brenda përbrenda koalicionit.

“Tani ata thonë se janë partia me e shumëllojshme, partia më multietnike nuk thonë se janë partia më e aftë, më cilësorja dhe më e mençur. BESA kur hyri në koalicionin e tyre ishte se BESA hyri në koalicion me ne sepse është parti shqiptare dhe jo sepse BESA është më e mira dhe më cilësorja. Edhe BDI nuk kishte zgjidhje tjetër e kishte patjetër t’i bashkohet kësaj të djathte etno-poltike dhe le ta udhëheqin betejën atje, kjo nuk sjell zhvillim të Maqedonisë dhe qytetarët atë do ta vërejnë”, Mucunski nga VMRO-DPMNE-ja.

Duke folur për programin politik, Milla Carovska nga LSDM tha se parashohin shkarkimin e gjykatësve të cilëve ju vjetërsohet lënda që udhëheqin.

“Gjithashtu premtojmë shtet të drejtë prandaj në periudhën e ardhshme fuqishëm do të punojmë në atë që të gjitha procedurat dhe ligjet që janë sjellë në periudhën e kaluar të vendosen në praktikë. Shtesë 5 përqind nga të gjitha lëndët për të cilat është sjellë aktgjykim nëpër gjykata në periudhën 5 vjeçare do të rishqyrtohen. Mendoj se vjetërsimi i lëndëve duhet të përfundojë dhe për këtë në periudhën e ardhshme çdo vjetërsim i lëndës do të thotë shkarkim i drejtpërdrejt i gjykatësit”, tha Carovska.

Petar Bogoevski nga Koncepti Maqedonas tha se është koha që kjo Qeveri të largohet por as të mos kthehet qeveria e mëparshme e VMRO-DPMNE-së.

“Kjo Qeveri definitivsht të largohet nga menaxhimi me shtetin por në të njëjtën kohë të mos përsëritet ripërtëritja e banditizmit për të cilët kemi harxhuar vite që ta ndërrojmë nga skena politike në vend. Të mos lejojmë që të ringjallen personalitete që kanë pasur 10 shanse deri tash në skenën politike dhe treguan se nuk dinë. Koha është për personalitete të reja që dinë se çfarë duhet bërë”, deklaroi Bogoevski.

Në emisioni me përfaqësuesit e njësisë së parë  zgjedhore u diskutua edhe për Marrëveshjen e Prespës, situatën me koronavirusin dhe shumë tema të tjera aktuale.