Prokurorja Lidija Raiçeviç, e cila vetë ishte kandidate për kryeprokurore, në fjalimin e saj u ndal më së shumti te financimi i Prokurorisë. Ajo theksoi se përqindja prej 0.4% e të ardhurave totale nga taksat është e pamjaftueshme, gjë që do të kontribuojë që pagat të jenë të ulëta dhe kështu të ulet dinjiteti i prokurorëve.
“Dinjiteti i prokurorit fillon me pagën e tij. Ka dispozita në ligj që lidhen me garancitë se paga e prokurorit nuk mund të ulet. Megjithatë ekziston një rekomandim se sa duhet të jetë të ardhurat nga taksat dhe të ardhurat e tjera të ndara për Prokurorinë Publike, dhe kjo përqindje nuk është respektuar”, tha Lidja Raiçeviç – prokurore.
Ish-gjykatësja në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, Margarita Caca Nikolovska, vuri në dukje se pjesa më e madhe e ligjit është e pasaktë, veçanërisht pjesa ku parashikohet shkarkimi i prokurorëve.
“Për mua, dhe mendoj edhe për shumicën e juristëve, kjo është diçka që do të shkaktojë problem të madh në përcaktimin e thelbit të përmbajtjes së tij. Çfarë do të thotë shkelje serioze e rendit publik, çfarë do të thotë e papërshtatshme në ekstrem, të gjitha këto, pa elaboruar më tej të njëjtin tekst, do të jenë problematike”, u shpreh Margarita Caca Nikollovska – ish-Gjykatëse në GJEDNJ-Strasburg.
Slagjana Taseva nga Transparency International Maqedoni tha se rekomandimet e GRECO-s për të cilat flitet se po zbatohen me futjen e procedurës disiplinore janë më shumë se 10 vjet të vjetra. “Kur lexova këtë ligj nuk mora përshtypjen se po ecim drejt krijimit të një institucioni modern të Prokurorisë,” theksoi ajo.
“Në këtë tekst ligjor nuk kemi, as nuk duket se ka synim të krijohet një Prokurori Publike moderne, por mbetemi te ajo që e dimë, sepse jemi mësuar kështu, sepse kështu na duket mirë dhe dimë si funksionon. Çdo gjë tjetër është diçka e re. Bota ecën përpara. Ne flasim për qasje për punë, digjitalizim, që janë ende koncepte të papërcaktuara”, potencoi Sllaxhana Taseva – Transparency International – Maqedoni.
Projektligji për Prokurorinë është pjesë e agjendës reformuese dhe ai tashmë ka kaluar fazën e parë, domethënë Kuvendi ka miratuar nevojën për miratimin e tij. Në këtë seancë ministri Igor Fillkov tha se me këtë tekst ligjor sistemi i prokurorisë do të bëhet më efikas dhe do të harmonizohet me standardet evropiane.
