Davidoviç prononcohet për incizimin me Kiçeecin: Tentim për diskreditim dhe parandalim të realizimit të projekteve

TË FUNDIT

Biznesmeni malazez, Miodrag Daka Davidoviç sot në një letër drejtuar publikut është prononcuar rreth publikimit të audio incizimit midis tij dhe Zoran Mileski Kiçeec, publikuar në kanalin “Duar ngjitëse” në Jutjub tre ditë më parë.

“Si pronar i një sipërfaqe të madhe toke në komunën e Shtipit, në Bregallnicë, e cila në vendndodhjen e saj është e përshtatshme për ndërtimin dhe funksionimin e një mini- hidrocentrali dhe parqe të energjisë me erë, kam arritur një marrëveshje me kompani të njohura austriake dhe kineze, të cilat janë të gatshme për të siguruar fonde për realizimin e këtij projekti, ndërsa detyrimi im, si pronar i tokës, ishte të siguroja leje ndërtimi dhe të gjitha dokumentet e tjera të nevojshme për realizimin e këtij projekti”, deklaron Davidoviç në letrën.

Më tej shkruan se duke e pasur parasysh se në këtë rast bëhej fjalë për një projekt multi-milionë dollarësh, shuma prej 300,000 eurosh në shërbime këshillimi, ndërmjetësimi, logjistikë dhe përfaqësim para autoriteteve kompetente në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk është disproporcionale me një vlerë kaq të madhe të projektit.

Sipas tij, kualifikimi i mediave se bëhet fjalë për ryshfet është shumë i përqendruar, sepse, siç thotë ai, në këtë marrëdhënie biznesi nuk ka asnjë element të vetëm që do të tregonte, e lëre më të përcaktohet pagesa e deklaruar si ryshfet dhe korrupsion. Ai thotë se kjo është një përpjekje për të diskredituar atë dhe për ta parandaluar realizimin e projekteve të filluara në vend.

“Fakti që unë ia pagova fondet e përmendura, Zoran Milevskit gjatë Qeverisë së Nikolla Gruevskit, ndërsa jo Qeverisë së Zoran Zaevit, konfirmon gjithashtu se sa të pavërtetë janë artikujt, ndërsa mbi të gjitha edhe të montuara”, thekson biznesmeni malazez.

Ai më tej deklaron se përkundër të gjitha premtimeve, Mileski nuk i dha atij asnjë leje, as nuk ndërmori aktivitete për realizimin e projektit në Komunën e Shtipit, por vetëm i organizoi një takim me Zaevin, i cili, nga ana tjetër, e dërgoi te Rashkovski në Qeveri për të kontrolluar se cilat ishin planet e Qeverisë lidhur me ndarjen e koncesioneve të reja.

“Deri më tani, nuk kam marrë ndonjë informacion që do të tregonte se në të ardhmen mund ta prisja realizimin e projektit të deklaruar. Është e qartë se Mileski nuk e ka përmbushur asnjë detyrim të ndërmarrë, si dhe faktin që unë nuk kam realizuar ndonjë projekt biznesi. Shumën e madhe të parave që investova në pasuri të paluajtshme mbeti joaktive dhe e bllokuar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kështu që nuk bëra ndonjë fitim, gjë që tregon se kualifikimet e mediave të caktuara, se në këtë rast bëhet fjalë për ryshfet, janë të pasakta dhe me qëllim të keq, dhe vetëm e dëmtojnë këtë vend, sepse ky është një mesazh i keq për të gjithë investitorët e huaj që duan të investojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, përfundon Davidoviç.

Në kanalin në Jutjub më 27 qershor u publikua një audio incizim i cili zgjat 12-minuta, në të cilën gjoja dëgjohen zërat e Zoran Mileski-Kiçeecit dhe i të dënuarit në çështjen “Reket” dhe biznesmenit, Daka Davidoviç.

Në incizimin dy bashkëbiseduesit i përmendin emrat e Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë, Dragi Rashkovski, ndërsa dëgjohet edhe emri i ish-kryeministrit dhe kryetarit aktual të LSDM-së Zoran Zaev. Bashkëbiseduesi, i cili flet serbisht, përmend se ai i dha para Mileskit, përmendë referendumin dhe premtimet e parealizuara të cilat iu dhanë Davidoviçit për bizneset që lidhen me hidrocentralet dhe anemometrat në Tetovë dhe Shtip./MIA