Dje këtu në Kopenhagë u mbajtën zgjedhjet parlamentare, por nuk kemi ardhur për të folur për këtë temë. Jemi këtu për ndeshjen e futbollit mes përfaqësueses së Danimarkës dhe përfaqësueses se Maqedonisë së Veriut.
Atmosfera në qytet është e qetë. Moti është tipik skandinav, me një mesatare rreth 8 gradë Celsius, erë të lehtë dhe herë pas here vranësira, kushte që nuk janë të pazakonta për futboll në këtë periudhë të vitit.
Ndeshja do të zhvillohet në Parken Stadium, ku pritet një numër i madh tifozësh vendas, por nuk do të mungojë as përkrahja për përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut. Kjo përballje shihet si një test serioz për Maqedoninë, përballë një kundërshtari që tradicionalisht është shumë i fortë në shtëpi.
Skuadra daneze hyn si favorite në letër, por Maqedonia e Veriut ka treguar në disa raste se di të surprizojë kundërshtarë më të fortë, sidomos kur luan e organizuar dhe me disiplinë taktike. Përzgjedhësi pritet të mbështetet në një qasje më të kujdesshme, duke kërkuar rastet përmes kundërsulmeve.
Tani mbetet të shihet nëse kjo ndeshje do të konfirmojë pritjet, apo do të sjellë një tjetër surprizë nga përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut.
Fituesi i kësaj përballjeje do të avancojë në finalen e play-off-it, ku do të ndeshet me fituesin e çiftit tjetër, Çeki-Irlandë, për një vend në Kupën e Botës 2026. Ndeshja zhvillohet te enjten 20:45h.
