Danimarka dhe Holanda do t’i japin Ukrainës avionë luftarakë amerikanë F-16

TË FUNDIT

Holanda dhe Danimarka njoftuan të dielën se do t’i japin Ukrainës avionë luftarakë F-16. Ky ishte një njoftim i shumëpritur për presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenski, i cili e quajti këtë vendim një motivim të rëndësishëm për forcat e vendit të tij që janë përfshirë në një kundërofensivë të vështirë kundër Rusisë.

Afati kohor varet nga sa shpejt ekuipazhet dhe infrastruktura ukrainase janë gati për avionët e fuqishëm të prodhuar nga SHBA, i tha Zelenskit kryeministri holandez Mark Rutte, teksa të dy vizitonin një bazë ajrore holandeze.

Ukraina ka kërkuar prej kohësh këta avionë të sofistikuar, që pritet t’i japin asaj një avantazh luftarak në fushëbetejë. 

Kohët e fundit Ukraina, pa mbulim ajror, filloi një kundërofensivë të shumëpritur kundër forcave të Kremlinit, duke i lënë trupat e saj në mëshirën e aviacionit dhe artilerisë ruse.

Zelenski përshëndeti njoftimin “historik” dhe vlerësoi Rutte, që e bëri Holandën vendin e parë që ofron avionët. 

Njoftimi erdhi disa minuta pasi të dy udhëheqësit inspektuan dy avionë gri F-16 të parkuar në një hangar në bazën holandeze në qytetin jugor të Eindhoven.

“Ndjehem krenar që edhe Danimarka, së bashku me Holandën, do të dhurojnë avionë luftarakë F-16 në luftën e Ukrainës për liri kundër Rusisë dhe agresionit të saj të pakuptimtë. Mbështetja e Danimarkës për Ukrainën është e palëkundur. Me dhurimin e avionëve F-16, Danimarka tani po e kryeson në këtë rrugë”,- tha në një deklaratë ministri danez i Mbrojtjes, Jakob Ellemann-Jensen.

Zelenski tha se Ukraina do të merrë 42 avionë, por Holanda dhe Danimarka, në një deklaratë të përbashkët, njoftuan vetëm dërgesat, por nuk specifikuan numrat.

Rutte tha se Holanda ka 42 avionë, por ai tha se disa do të nevojiten për qëllime stërvitore.

Mbetet gjithashtu e paqartë se kur do të ngrihen në qiell mbi kombin e Zelenskit këta avionë, por Rutte tha se shpreson se “kjo do të ndodhë së shpejti”.

“F-16-të nuk do të hyjnë menjëherë në luftime. Gjithsesi, është një angazhim afatgjatë nga Holanda”,- tha kryeministri holandez. 

“Ne duam që ata të jenë aktivë dhe funksionalë sa më shpejt të jetë e mundur. Nuk janë për muajin tjetër, kjo është e pamundur, por shpresojmë që sa më shpejt.”

Zelenski e quajti njoftimin një mesazh të fuqishëm për forcat e tij.

”F16 sigurisht që do t’u japë energji, besim dhe motivim të ri luftëtarëve dhe civilëve. Jam i sigurt se do të japë rezultate të reja për Ukrainën dhe gjithë Evropën”,- tha ai.

Qeveria holandeze dhe daneze janë gjithashtu të përfshira në një koalicion që po punon për të trajnuar pilotët ukrainas për të drejtuar avionët luftarakë të avancuar.

Zelenski nuk pranoi të thoshte se sa pilotë ukrainas do t’i nënshtroheshin trajnimit në Danimarkë dhe më vonë në Rumani, duke përmendur për këtë “arsye sigurie”. 

Megjithatë, Danimarka tha të premten se trajnimi do të fillojë këtë muaj. Zyrtarët kanë thënë më parë se pilotët ukrainas do të kenë nevojë për gjashtë deri në tetë muaj trajnim. Të premten, Holanda dhe Danimarka thanë se SHBA-të i kishin autorizuar të dorëzonin F-16 e prodhimit amerikan në Ukrainë. 

Miratimi nga Uashingtonit u pa si një nxitje e madhe për Kievin, edhe pse avionët luftarakë nuk do të kenë një ndikim të shpejti në luftën pothuajse 18- mujore.

Uashingtoni thotë se F-16-tat, si dhe tanket e avancuara amerikane Abrams, do të jenë vendimtare për një afat të gjatë kohor, ndërsa Kievi përballet me Rusinë.

Ukraina është mbështetur në avionë të vjetër, si avionët MiG29 dhe Sukhoi të prodhimit rus. F-16-tat kanë teknologji më të re dhe aftësi më të mëdha. Ata janë gjithashtu më të gjithanshëm, thonë ekspertët. Apnews