Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi ka reaguar ndaj projektligjit të ri për zyrtarët administrativ, i cili sipas tyre po bëhet diskriminim në paga, ku të punësuarve në ministri dhe sekretariate do tu rritet paga për rreth 10.000 denarë. Nga ana tjetër më këtë ligj nëpunësit tjerë në sektorin publik do të kenë më pak pikë, që nënkupton rrogë më të ulët, ndonëse e bëjnë punën e njëjtë.
“Komisioni konstatoi se ka dispozita diskriminuese në fushën e punës dhe marrëdhënieve të punës në bazë të marrëdhënieve tek punëdhënësit. Problematik është Neni 71 i këtij propozim-ligji, i cili rregullon pagat e të punësuarve në administratën publike, bëhet fjalë për personat që kanë statusin e nëpunësve administrativë. Në ligjin bëhet dallim mes të punësuarve në ministri dhe sekretariate, në raport me nëpunësit administrativë që janë të punësuar në institucione të tjera apo institucione të sektorit publik”, tha Ismail Kamberi, kryetar i Komisionit për Mbrojtje nga Diskriminimi.
Sindikata e AOGjSh-së, dorëzoi kërkesë që pikat e parapara shtesë të vlejnë për të gjithë të punësuarit në administratë.
2Ne mirëpresim këtë hap për t’i rritur rrogat e të punësuarve në administratë, por të jenë të përfshirë të gjithë, e jo vetëm ministritë dhe sekretariatet. Nuk mundet në një ligj të keni kushte të njëjta për punësim, avancim, vlerësim, procedura disiplinore dhe disa të punësuar të kenë paga më të larta se të tjerët, sepse kjo paraqet diskriminim klasik”, pohoi Tërpe Deanosi, kryetar i sindikatës së AOGjSh-së.
Shumë akte nënligjore dhe vendime me të cilat rregullohet dhe përcaktohet lartësia e pagave, e komplikojnë situatën, thotë profesori universitar, Argëtim Saliu.
“Zgjidhja është që të miratohet një ligj për rrogat në të cilin do të definohet dhe rregullohet sistemi i rrogave dhe bonuseve të të gjithë të punësuarve që marrin para nga buxheti i shtetit. Derisa nuk sillet një ligj i tillë, do të kemi situata të këtilla – paga të ndryshme për marrëdhënien e njëjtë pune”, pohoi Argëtim Saliu, profesor universitar.
Kjo bie në kundërshtim me Nenin 9 të Kushtetutës, i cili garanton se të gjithë qytetarët janë të barabartë, por nuk është në përputhje as me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, ku thuhet se për punë të njëjtë apo të ngjashme duhet të ketë paga të barabarta, shpjegon kryetari i Komisionit për Mbrojtje nga Diskriminimi, Ismail Kamberi.
