Aktori dhe shkrimtari Çun Lajçi librin e radhës” Kopilani” zgjodhi që ta promovojë në Kërçovë. Jo një promovim të zakonshëm, por duke u ulur në rrugë, e duke shitur të njëjtin para lexuesve.
Ndryshe nga shkrimtarët tjerë Lajçi shkon nëpër qytete dhe vetë i prezanton librat e tij ku edhe takohet dhe diskuton me njerëz të ndryshëm.
Mënyra e tij e promovimit të librave vjen edhe si revoltë ndaj politikave të gabuara me të cilat trajtohen artistët.
“Kam dal me bo një grim apo një troh proteste timen, me e kthye vëmendjen, ndoshta edhe të pushtetarit ani se nuk më donë, me e pa se sa në gjendje të keqe i ka lënë artistët që mundohen me zbukuru jetën e qytetarit me shpirtin e vet, sepse artisti harxhon shpirtin, askush nuk e kupton mendojnë se ne jemi palaço që ose të shtijmë me qesh ose me qa”, tha Lajçi.
Ai tha se me rrogën si artistë ose shkrimtar nuk jetohet. Sipas tij të paktë janë artistët që mund të jetojnë nga libri, shton se i vetmi është shkrimtari Ismail Kadare.
“Pra nuk jetohet me pagën e aktorit , jetohet ndoshta prej hajt një shprese një emri, një iluzion se dikush po më sheh, pra e ushqen shpirtin me përrallat e tua, me idealizimin tënd, ndoshta edhe me ndonjë vepër të mirë që e realizon, brenda vitit, ndoshta edhe me ndonjë rol në ndonjë film, por prej pagës që e marrin kolegët e mijë mundesh me jetu, sigurisht 10 ditë po hiç më shumë”, tregon më tej ai.
Lajçi thotë se është ndjerë i vonuar këtë herë me ardhjen në Kërçovë, pasi i mungojnë mërgimtarët dhe sipas tij kjo ka ndikuar edhe në uljen e fuqisë blerëse. Ai i kupton qytetarët kur nuk blejnë sepse siç thotë edhe ata po jetojnë me “paga mjerane”. Lajci na tregoi se deri më sot vetëm tre politikan e kanë nderuar duke blerë libra dhe duke ua dhuruar bibliotekave të shkollave, Erion Veliaj në Tiranë, Fatmir Dehari në Kërçovë dhe Hekuran Duka në Dibër.
