Numri i njerëzve që kanë kërkuar ndihmë dhe mbështetje psikologjike, si rezultat i krizës mentale nga situata me pandeminë, po shënon rritje. Ky vlerësim është sipas statistikës personale të psikologut dhe psikoterapeutit, Mirosllav Pendaroski. Megjithatë, ai thotë se të dhëna të këtilla merr edhe nga bisedat me kolegët e tij. Prandaj, siç shton ai, mënyra individuale e ballafaqimit, por edhe strategjia e shoqërisë kanë rëndësi të madhe në drejtim të përballimit me situatën e krijuar.
“Sipas përvojës sime personale si psikolog, si psikoterapeut, mund të them se vitin e fundit, sidomos pas verës kur kontaktet shoqërore u relaksuan kaq shumë, njerëzit sërish filluan të lëvizin dhe të kërkojnë ndihmë psikologjike, qoftë në mënyrë online apo të drejtpërdrejtë”, tha Mirosllav Pendaroski – psikolog dhe psikoterapist.
Arsyeja e cila reflekton negativisht tek njerëzit me pasoja psikologjike është pasiguria e covid-krizës, shpjegon Pendaroski. Humbja e punës, izolimi, ulja e pagave janë disa nga shkaqet për paraqitjen e ankthit dhe depresionit. Më të prekurit janë punëtorët turistikë dhe të punësuarit në restorante.
“Kur njerëzit jetojnë në pasiguri pa marrë parasysh se për cilën sferë të jetës bëhet fjalë, sigurisht se paparashikueshmëria e së ardhmes sjell shqetësim edhe më të madh, ndjenja depresive, distancimi nga mjedisi, apati…”, theksoi Mirosllav Pendaroski – psikolog dhe psikoterapist.
Por, kjo nuk do të thotë se vetëm të rriturit e ndjejnë presionin psikologjik. Nuk ka kufi moshe për personat që mund të preken nga e gjithë situata. Sipas Pendaroskit, fakti më shqetësues është tjetërsimi social ose mësimi me realitetin e ri.
“Kjo situatë artificiale e cila erdhi për shkak të krizës së madhe botërore ju imponon njerëzve presion, jo sipas zgjedhjes së tyre, si dhe të distancohen në aspekt shoqëror”, shtoi Mirosllav Pendaroski.
Duke parë në plan afatgjatë, sjellja e tillë nuk është pjesë e natyrës njerëzore, shpjegon Pendaroski, sepse njeriu është një qenie sociale.
Pyetëm edhe në disa barnatore nëse kanë rritje të kërkesës së antidepresantëve, nga ku thonë se këto barna më shumë kërkoheshin në fillim të pandemisë, kurse tashmë njerëzit kanë filluar të ambientohen me këtë situatë.
