Qytetarët e infektuar nuk bashkëpunojnë me mjekët për të treguar se me cilët persona kanë pasur kontakt. Sipas epidemiologes Lulzime Bajrami shumë prej të infektuarve druajnë të tregojnë se ku kanë qenë para se të infektohen dhe më kënd kanë pasur kontakt.
Bajrami thotë se kjo situatë më shumë e vështirëson procesin e parandalimit të virusit Covid-19.
“Ata nuk tregohen real të na tregojnë neve se kush me cilët ka pasur kontakt dhe t’i zbulojmë kllasteret tjera të cilët mund të parandalojmë përhapjen”, tha Lulzime Bajrami, epidemiologe.
Agron Vrangalla: Nga cili qytetet janë këta familje?
Lulzime Bajrami: Tani ka nga Çairi, ka nga Buteli, ka nga Hasanbegu , nga Saraji.
Radiologu Edmond Vejseli thotë se nëse duam ta parandalojmë koronavirusin duhet të kemi bashkëpunim të ndërsjellë me mjekët.
“Realisht problemi është që pacientët druajnë që të bëjnë kontrollin te mjeku të shkojnë të lajmërojnë apo mbi të gjitha të ruajnë edhe familjarët e tyre. Sepse kjo është një masë parandaluese për përhapjen e virusit Kovid-19”, tha radiologu Edmond Vejseli.
Zëvendësministri i Shëndetësisë Armend Asllani tha se në Maqedoni është vendi me më pak vdekshmëri në krahasim me Slloveninë dhe Greqinë.
“Jemi pas Sllovenisë, pas Greqisë, me numrin e mortalitetit por kjo ndryshon në çdo orë. Ajo që tek ne merret brisë edhe postmortum tek pacientët dhe nga numri 119 sa kemi raste vdekjesh, 1/5 ose mbi 20 të këtyre rasteve të vdekjesh është marrë bris postmortum që në vendet tjera nuk bëhet e njëjta”, tha zv/ministri i shëndetësisë Armend Asllani.
Rasti i parë me Covid -19 në Maqedoni u regjistrua më 26 shkurt të e këtij viti, që atëherë kanë kaluar 3 muaj. Ndonëse numri i të infektuarve filloi të bie, megjithatë ditëve të fundit sërish vërehet një rritje e numrit të të infektuarve në vendin tonë.