Virusi korona nuk la pa e prekur edhe Resnjën, komunë kjo e cila deri tani nuk kishte asnjë të infektuar.
Pas tre muajve prezencë në vendin tonë, për herë të parë në këtë vend sot u diagnostikua një person me Covid-19.
Kryetari i Resnjës, Zhivko Gosharevski për TV21 tha se do të rritë masat e sigurisë, patrullimet e policisë si dhe kontrollet e inspektorëve të tregut, meqë siç tha, në procedurë është regjistrimi i nxënësve nëpër shkolla.
“E thatë mirë, Komuna e Resnjës këto tre muaj me sukses është përballur me situatën dhe mediat kishin interes të madh se si po ia dalim kështu, e këtë unë e kam thënë disa herë tashmë, me koordinim të shkëlqyeshëm të të gjitha institucioneve, të të gjithë atyre që ishin të kyçur në lidhje me masat dhe rekomandimet e Ministrisë dhe Qeverisë së Maqedonisë, por para së gjithash do të theksoj përgjegjësinë e qytetarëve, e cila në Resnje ishte në nivel shumë të lartë,” tha Zhivko Gosharevski, kryetari i Resnjes.
Nga gjithsej 1019 testet e realizuara në 24 orët e fundit, Instituti për shëndet publik ka regjistruar 125 raste të reja me Covid-19. Shpërndarja e të prekurve me virusin korona, sipas qyteteve është si vijon.
125 RASTE TË REJA
Shkup -89
Tetovë -11
Ohër -8
Strugë -3
Shtip, Prilep, Strumicë nga -2 raste
Veles, Gostivar, Kërçovë, Resnje nga -1 rast
1 pacient nga Shkupi, 1 nga Prilepi dhe 4 nga Velesi e kanë kaluar virusin korona. Ndërkaq 7 të tjerë kanë humbur luftën me këtë virus. Bëhet fjalë për tre pacientë nga Shkupi, një nga Shtipi, një nga Tetova dhe dy nga Struga.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në vend ka arritur në 3364 e numri i rasteve aktive është 1536.
