Çka e bashkon Besën me Grupin e Zjarrit? Kasami gati për bashkëpunim nëse fraksioni shkëputet krejtësisht nga BDI

TË FUNDIT

Shkëputja e formale e fraksionit të ashtuquajtur Grupi i zjarrit, nga BDI do t’i hapte dyert për një bashkëpunim të mundshëm me Lëvizjen Besa. Të paktën për këtë është i gatshëm kreu i Besës, Bilall Kasami, i cili siç u shpreh në Click Plus, do të bashkonte forcat me Grupin e Zjarrit, vetëm nëse ata shkëputen krejtësisht nga BDI.

“Nëse vlerësojmë motivin e tyre të largimit nga Qeveria që ka të bëj me dështimin e këtij ekzekutivi është një pikë që na bashkon. Edhe me qëndrimet politike, me konceptimin e tyre, pozicionimin e tyre ideologjik në skenën politike si fraksion dhe nesër sigurisht nëse vendosin të shkëputen si parti politike jemi në disa pika ku përputhemi dhe nga momenti kur këta do të vendosin edhe formalisht se si do të vazhdojnë rrugëtimin më tutje, ka mundësi për bashkëpunim. Domethënë më përpara me ta se me BDI-në, a kam të drejtë? Po, patjetër”, tha Bilall Kasami – kryetar i Lëvizjes Besa.

Nga Grupi i Zjarrit sot nuk deshën të komentojnë për këtë temë, ndërsa më herët e kanë theksuar se nuk do të formojnë parti të re politike dhe se do të funksionojnë si fraksion brenda BDI-së. Në lidhje me informacionet se “Grupi i Zjarrit” rrezikon të përjashtohet nga organet e partisë nga ana e kreut të partisë Ali Ahmeti, Blerim Bexheti tha se zgjedhja e tyre në funksionet partiake është bërë në bazë të statutit të partisë, respektivisht nga Këshilli i Përgjithshëm.

 “Pikënisja e pakënaqësive është mu nga ne, në mungesë të respektimit të statutit dhe nëse është ajo qasje, ajo është vetëm manifestim force dhe nuk do të ishte racionale në aspekt politik që të vijë deri aty, pasi që të debatohet për çështje të statutit, edhe pse në fund të fundit është e drejtë e tyre çka do të veprojnë si do të veprojnë. Në aspekt juridik, këtu ka organe të BDI-së, Këshill Mbikëqyrës, që duhet ta mbikëqyrin çdo veprim të organeve partiake dhe të shqyrtohet”, pohoi Blerim Bexheti, fraksioni BDI.

Përndryshe Lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami ka folur për afërsinë me Grupin e zjarrit, duke komentuar fotografinë ku shihet me Visar Ganiun e fraksionit të BDI-së. Mbi këtë Kasami tha se i ka bashkuar sporti, por foton e ka keqpërdorur Artan Grubi. Djali i Kasamit luan për “Shkëndijën”, ndërkaq i Ganiut për “Shkupin.