Cili do të jetë fati i maturantëve? MASH ende pa zgjidhje, po shqyrtohen dy opsione

TË FUNDIT

Virusi korona nga 3 marsi i ka lënë nxënësit jashtë objekteve shkollore. Tani është në pikëpyetje realizmi i provimit të maturës shtetërore. Nxënësit janë të mendimit provimi duhet të anulohet, e deri tani 7600 nxënës kanë nënshkruar një peticion online për të njëjtën. Të njëjtën kërkesë ka parashtruar edhe Unioni i nxënësve të shkollave të mesme.

Me anulimin e maturës, nënkuptojnë që për bazë të merret suksesi 4 vjeçar i nxënësve. Blendi Hodai, kryetar i Unionit të nxënësve, thotë se si opsion të dytë e shohin prolongimin e provimeve, por kjo sipas tij paraqet problem për nxënësit që duhet të regjistrohen jashtë vendit.

“Opsionet tona që ne i kemi shqyrtuar,  janë dy që janë në interest ë nxënësve.

E para është anulimi i maturës shtetërore por të ndiqet shembulli i Italisë, ku merret nota mesatare për 4 vite dhe në këtë formë do ta marrin diplomën dhe në këtë formë do të mund të marrin diplomën dhe të vazhdojnë mësimin në ciklin e ardhshëm, në universitete”, tha Blendi Hodai, Kryetar i UNSHM.

Për anulimin e maturës shtetërore është edhe partia opozitare VMRO-DPMNE.  Kërkojnë që të sillet një dispozitë që nxënësit që kanë përfunduar shkollën e mesme këtë vit shkollor të regjistrohen nëpër fakultete pa maturë.

“Menjëherë të anulohet matura shtetërore dhe të gjithë të shlirohen nga stresi i provimit. Atyre që do t’i duhet matura shtetërore, ta realizojnë në shtator. Të ndërpriten kërcënimet ndaj mësimdhënësve nga Inspektorati shtetëror i arsimit”, tha Millka Trimçevska, VMRO-DPMNE.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ende nuk ka gjetur zgjidhje për problemin me maturantët. Ministri Arbër Ademi tha se po shqyrtohen dy mundësi, prolongimi i maturës shtetërore ose anulimi i të njëjtës.

“Të gjitha opsionet janë në tavolinë, është diskutuar edhe në seancë të Qeverisë por edhe në Shtabin kryesor kordinativ të krizës. Nuk ka hapësirë për tu brengosur, sepse çdo vendimi i yni që do ta sjellim do të jetë në favor të interesit të nxënësve tanë dhe askush nuk do të jetë i dëmtuar. Gjithsesi duhet të bëhen analiza shtesë për të gjitha sfidat me të cilat përballet çështja e maturës shtetërore.  Gjitha opsionet po i shqyrtojmë, edhe opsionin e prolongimit të maturës dhe opsioni i anulimit të maturës shtetërore”, tha Arbër Ademi, Ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Përndryshe këtë vit shkollën e mesme e përfundojnë 13.200 nxënës.  Në fillim të qershorit ata duhet të hyjnë nëpër provime të maturës, për ta siguruar diplomën.

Italia ka anuluar testin e maturës, por ka dalë me alternativë sesi nxënësit do të pajisen me dokumentin e Maturës shtetërore. Nota që do të ju shkruhet nxënësve në dokumentin e shkollës së mesme do të jetë nota mesatare e 4 viteve të fundit të arsimit të mesëm. Njëjtë ka vepruar edhe Franca.

Shqipëria nuk e ka anuluar Maturën shtetërore, por ka dalë me zgjidhje që materiali i humbur mësimor gjatë kësaj periudhe të izolimit të mos përfshihet në testin e Maturës shtetërore.