Çfarë efekti ka lista e zezë e ShBA-ve? Ageler: Prek individët, familjet e tyre dhe mundësinë për të lëvizur lirë

TË FUNDIT

Ambasadorja e SHBA-ve në vend Angela Ageler edhe sot përsëriti qëndrimin se nuk mund të sugjerojë e as të supozojë se çfarë duhet të ndërmarrë qeveria në rastin e Merkos, por shtoi se si ambasadë, duartrokasin çdo veprim të Qeverisë që tregon se kjo shpallje është marrë seriozisht.

“Do të vazhdojmë të shikojmë, të shohim se çfarë efekti ka kjo. E di se ka pasur një numër zërash brenda Qeverisë dhe veprime, për ta marrë shpalljen e fundit seriozisht dhe për ta ndjekur të njëjtën dhe ne e duartrokasim këtë”, tha Anxhela Ageler, ambasadore e SHBA-ve NË RMV.

Mirëpo Ageler foli për efektin që ka lista e zezë tek personi që hy në listën e sanksioneve.

“Neve shpesh na pyesin nëse është efektive ose a bën ndonjë dallim? Në shumë raste, po, ne besojmë se bën dallimin. Bën sepse prek individët, familjet e tyre dhe mundësinë për të lëvizur lirë dhe shpesh. Shpallja e SHBA-ve shpesh inkurajon vendet tjera partnere të bëjnë shpallje të ngjashme dhe dërgon mesazhin se ne e marrim seriozisht korrupsionin”, shtoi Ageler.

Ndërkaq presidenti i shtetit Stevo Pendarovski deri tash ende nuk e ka thënë për media qëndrimin e tij në rastin e Merkos, por tha SHBA-të janë gjithmonë janë për përparim të vendit.

“Qëndrimi im është që amerikanët asnjëherë nuk kanë qenë pro shqiptarëve ose antimaqedonasve dhe se gjithmonë kanë qenë që shteti ynë të prosperojë, megjithatë para se gjithash të jetë demokraci funksionale dhe multietnike. Ja do t’ua jap një të dhënë të fundit se ajo nuk është e vërtetë dhe ata që janë ithtarë të asaj teze se gjoja amerikanët janë pro shqiptarëve nuk mund ta shpjegojnë faktin se ata (SHBA) kanë të ashtuquajturën “listë të zeze” përafërsisht nga 2001-ta dhe mbi 90%  nga njerëzit që janë në listën e zezë janë shqiptarë. Si janë pro shqiptarëve amerikanët?”, tha Stevo Pendarovski, president i RMV-së.

Ramiz Merko është politikani i disatë që po bëhet pjesë e listës së zezë amerikane, pas ish-kryeministrin Nikola Gruevski, ish-drejtorin e DSK-së Sasho Mijalkov, kreut të PDSH Menduh Thaçi, ish-deputetit Xhevat Ademi e disa të tjerëve.