Prej nesër, ata që hyjnë në Maqedoninë e Veriut përmes pikëkalimeve kufitare nuk do t’u duhet të tregojnë test negativ PCR dhe të shkojnë në karantinë shtetërore. Me vendim të qeverisë kjo masë u shfuqizua, por ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë me ata që tashmë kanë ardhur në vendlindje dhe kanë nënshkruar deklaratë për vetizolim 14 ditor?
Nga Qeveria për TV21 thanë se i kanë propozuar Inspektoratin Sanitar-Shëndetësor që deri të nesër, 26 qershor, të japin mendim për shfuqizim të vendimeve të lëshuara për izolim shtëpiak për personat të cilët nuk janë pozitiv me COVID-19.
“Përfundimi i vlefshmërisë së vendimeve të lëshuara do të vlejë vetëm për personat të cilët këto vendime i kanë marrë gjatë hyrjes në vend, ndërsa jo për personat të cilëve u është dhënë vendim për izolim në bazë të algoritmit për përcaktimin e ekspozimit të COVID-19” thanë për TV21 nga Qeveria.
Drejtoresha e Inspektoratit Sanitar-Shëndetësor, Irina Sotirova-Buhova për TV21 konfirmon se e kanë marrë propozimin e Qeverisë ndërsa tha se për momentin ende nuk është sjellë vendim dhe se “po punohet në finalizimin juridik të vendimit”.
Jozyrtarisht mësohet se Inspektorati do ta miratojë propozimin e Qeverisë duke sjellë vendim për heqjen e karantinës për personat që kur kanë hyrë në territorin e Maqedonisë së Veriut kanë treguar test negativ PCR.
Ditë më parë, Qeveria në mbledhjen e 72-të solli vendim që nga dita e premte, 26 korrik 2020, tërësisht të hapen të gjitha vendkalimet kufitare për lëvizje pa pengesë të udhëtarëve dhe automjeteve pa test PCR, pa izolim shtëpiak dhe pa karantinë të obligueshme shtetërore./TV21
