Leavitt: Sulmuesi synonte të vriste presidentin Trump dhe bashkëpunëtorët e tij

TË FUNDIT

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, sot e përshkroi sulmin në darkën gala në Uashington si një tentativë për vrasjen e presidentit Donald Trump dhe zyrtarëve të lartë të administratës së tij.

Leavitt në rrjetin social X shkroi se darka e së shtunës “u rrëmbye nga një person i çmendur dhe i devijuar që u përpoq të vriste presidentin dhe të vriste sa më shumë zyrtarë të lartë të administratës së Trump”.

Ajo, e cila gjithashtu ishte ulur në zonën VIP, tha se u dërgua në një vend të sigurt së bashku me Trump dhe Zonjën e Parë Melania Trump.

“Presidenti Trump ishte vërtet i patrembur, por siç tha edhe mbrëmë, kjo dhunë politike duhet të marrë fund”, shkroi Leavitt.

Motivi i të dyshuarit ende po përcaktohet nga organet hetimore, deklaroi më herët prokurori i përgjithshëm Todd Blanche. Sipas gjetjeve fillestare, hetuesit dyshojnë se shënjestra ishin Trump dhe anëtarët e administratës së tij.

Në darkën gala në Uashington me korrespondentët e Shtëpisë së Bardhë, një person i armatosur depërtoi nëpër një pikë kontrolli sigurie dhe qëlloi disa herë para se të neutralizohej nga forcat e sigurisë. Trump dhe të ftuarit e tjerë u evakuuan nga salla.