Çento me kallëzim penal ndaj Ruskoskës! Ajo mohon: Vendimi u konfirmua nga instancat gjyqësore

TË FUNDIT

I dënuari për ngjarjet e 27 prillit, Jane Çento, së bashku me Bogdan Ilievskin dhe Boris Damovskin sot ngritën kallëzim penal në Prokurorinë Publike kundër Vilma Ruskoskës, prokurores që drejtoi çështjen.
Ata njoftuan se qëllimi është të rishqyrtohet gjyqi për 27 prillin, sepse do të paraqiten prova shtesë, të cilat u refuzuan në gjyqin e mëparshëm dhe sipas të cilave, siç pretendojnë ata, do të shihet se “janë përdorur prova të paligjshme, është ushtruar presion mbi dëshmitarët dhe është marrë një vendim bazuar në procedura të montuara”.

“Për më shumë se 8 vjet, ne jemi përballur me padrejtësi sistematike. Sot zyrtarisht kemi ngritur padi penale kundër ish-Prokurorit Publik me inicialet V.R. sipas Nenit 368-a, për pengim të drejtësisë, dhe sipas Nenit 353, për shpërdorim të detyrës zyrtare. Dorëzuam dëshmi në PTHP që ndërlidhen me 27 prillin që seriozisht e vënë në pikëpyetje mënyrën si ishte udhëhequr hetimi dhe procesi gjyqësor”, tha Jane Çento – i dënuar për 27 prillin.

Reagoi ish-prokurorja Vilma Ruskovska, e cila e hetoi këtë çështje para Gjykatës Penale,
duke thënë se Jane Çento nuk mund ta dojë këtë vend më shumë se ajo, duke shtuar se prindërit e saj derdhën gjak për këtë vend. “Nëna ime ishte në burg bullgar, ne varrosëm babanë tim të vrarë me një plumb bullgar”, tha Ruskovska, duke shtuar se prokurorët janë vetëm palë në procedurë, dhe se vendimi përfundimtar merret nga gjykatat në 3 instanca.

“Ndryshe nga Jane Çento, unë luftoj me fuqinë e argumenteve dhe provave, jo me dhunë. Dhuna nuk është kurrë zgjidhje, vendimi u konfirmua nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë, kështu që kjo do të thotë se nuk ka pasur asnjë veprim të paligjshëm në asnjë rast. Sipas mendimit tim, ky është një mashtrim i publikut sepse një nga premtimet parazgjedhore të qeverisë aktuale ishte se do t’i lironin të pandehurit e 27 prillit”, u shpreh Vilma Ruskoska – ish-prokurore për rastin e “27 prilli”.

Jane Çento, së bashku me 15 persona të tjerë, u dënua me 13 vjet burg në vitin 2019 me akuzën e “Rrezikimit terrorist të rendit kushtetues” në rastin 27 Prilli që lidhet me hyrjen me forcë në Kuvend. Çështja u gjykua nga gjykatësja Dobrilla Kacarska, tani gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese. Disa nga të pandehurit në këtë rast morën amnisti sipas ligjit që u miratua nga Parlamenti në fund të vitit 2018. Në seancën e 27 prillit 2017, situata eskaloi derisa sa Talat Xhaferi po zgjidhej kryetar i Kuvendit.