Çairi dhe Buteli u zgjuan me radiatorë të ftohtë/ Ramadani: Qytetarët të rrinë të qetë, këtë javë do të ketë ngrohje

TË FUNDIT

Rreth 500 amvisëri, 13 shkolla, çerdhe dhe shtëpi shëndetësore në Çair, Butel dhe Fushë Topanë edhe këtë mëngjes u zgjuan me radiatorë të ftohtë. TV21 e vizitoi poliklinikën në Çair, ndërsa biseduam edhe me drejtorin e shkollës së mesme “Cvetan Dimov” që ngrohen nga ngrohtorja “Shkup Veri”.

“Në 7.30 kur erdhëm në punë, pamë se nuk ka ngrohje dhe menjëherë u paraqitëm në Ngrohtore. Na thanë se prej sot nuk do të ketë ngrohje qendrore. Se sa do të zgjasë, nuk kemi informacione.
-Në mëngjes na duhet më së shumti, për shkak se herët fillojmë me mësim.”- deklaroi Visar Durak, drejtori shkollës së mesme “Cvetan Dimov”.

Edhe krahas faturave të paguara për ngrohje qendrore, çerdhet dhe shkollat e Butelit 2 sot mbetën pa ngrohje qendrore si dhe banesat.

“Ne jemi të prekur sa u përket shkollave dhe çerdheve, shpresojmë se në afat sa më të shkurtër do të tejkalohet ky problem. Sot punuam në kushte shumë të rënda. Çerdhen u përpoqëm që ta ngrohim objektin me aparate alternative, ndërsa në shkollat fillore organizuam mësim të shkurtuar.”- pohoi Gorjan Donev, Shef i Kabinetit.

Pas takimit të përfaqësuesve të ngrohtores “Shkup Veri” dhe EMV-së si dhe KRrE si ndërmjetësues, duke nisur nga kjo pasdite dhe gjatë javës së ardhshme, do të ketë ngrohje, tha për TV21 Kushtrim Ramadani.

“U morëm vesh që të gjejmë zgjidhje të përhershme. Tani për tani nuk ka propozim konkret ose rezultat. Ndërkohë siguruam mjete për furnizim me energji ngrohëse, do të fillojmë brenda një ore dhe qytetarët mund të rrinë rehat se gjatë ditëve të ardhshme do të ketë ngrohje dhe deri atëherë shpresojmë që të gjejmë zgjidhje të përhershme.”- deklaroi Kushtrim Ramadani, drejtor i ngrohtores “Shkup Veri”

Ngrohtorja “Shkup Veri” e filloi sezonin e ngrohjes më 4 tetor, përkatësisht rreth 10 ditë para afatit ligjor dhe kishte siguruar gaz nga Makpetroli për disa ditë.