Çair, çdo ditë kaos në rrugën “Kemal Sejfulla”! Ganiu distancohet nga përgjegjësia, Arsovska nuk përgjigjet

TË FUNDIT

Kjo është rruga “Kemal Sejfulla” në Çair.
Makina të parkuara vend e pa vend nga të dyja anët.
Shtegu i biçikletave është i bllokuar, ndërsa vijat e bardha nuk shihen askund, me çka qytetarët ndjehen të rrezikuar. Ata thonë se kaosin në këtë zonë e krijon mungesa e parkingjeve.

“50 vjet jam në Çair dhe ‘Kemal Sejfulla’ dhe ‘Cvetan Dimov’ gjithnjë kanë qenë zorra qorre dhe pika e dobët e këtij qyteti. Gjithnjë. Edhe garazhe në kate po të bëhen nga pesë kate, përsëri do të ketë ndonjë problem, infrastruktura… nuk ka faj as komuna, shumë automjete, Shkupi nuk mund të durojë kaq shumë makina”.

“Shumë herë kur dikush ka hyrë të blej një kilogram domate, ia kanë marrë veturën, ka probleme, ka probleme. Mungon parking”.

“Ku mund të jetë mirë, gjithçka mungon. Shikoni se si janë parkuar. Më vështirë e kanë këmbësorët”.

“Po bëjnë ndërtesa pa parkingje, unë nuk e di si u jep shteti leje të bëjnë ndërtesa aq të mëdha e parkingje nuk ka”.

Për gjendjen e kësaj rruge e pyetëm kryetarin e komunës së Çairit, Visar Ganiu. Ai tha se kjo rrugë a është nën kompetenca të Qytetit të Shkupit, por premtoi se nuk do të qëndrojë duarkryq.

“Ju e dini që rruga ‘Kemal Sejfulla’ është nën ingirenca të Qytetit të Shkupit, do të thotë që përgjigjen duhet atje më shumë ta kërkoni. Kjo nuk do të thotë që jam i amnistuar dhe do të rrije duarkryq”.

Nga kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska nuk morëm përgjigje se a do të ndërmerr diçka për të zgjidhur hallin e banorëve të kësaj pjese të Çairit, ndonëse e njëjta përpara zgjedhjeve lokale zotohej se do ta zgjidh problemin e kaosit në komunikacion dhe vendeve për parkim.