Bytyqi premton uljen e pagave për funksionarët: Paratë do t’i kthejmë te pensionistët dhe studentët

TË FUNDIT

Grupi i punës ende nuk i ka dorëzuar propozimet ligjore për uljen e pagave të funksionarëve, përcjell TV21. Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi tha se këtë javë do të takohet me ministrin e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu dhe se deri në fund të nëntorit do të prezantojnë zgjidhjet ligjore.

“Mendoj se do të duhet të ketë zgjidhje të caktuar deri në fund të muajit nëntor, sepse gjithsesi vijojnë ndryshime ligjore që duhet tutje të kalojnë në Kuvend”, tha Bytyqi.

I pyetur se çfarë do të bëhet me paratë nga rrogat e funksionarëve, Bytyqi tha:

“Do t’i kthejmë te pensionistët, studentët, tek të gjithë ata që kanë nevojë më tepër se disa funksionarë të caktuar”, theksoi Bytyqi.

Ndryshe, autoritetet paralajmëruan se punohet në 7 ndryshime të ligjeve në mënyrë që të ulen pagat e 1260 funksionarëve, të cilët së fundmi kanë marrë rritje të pagave për 78 për qind.