Bushati: Çështjet bilaterale në të shkuarën kanë penguar anëtarësimin

TË FUNDIT

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, po merr pjesë në punimet e Samitit të Vjenës për Ballkanin Perëndimor, si pjesë e delegacionit të Republikës së Shqipërisë që kryesohet nga kryeministri Edi Rama, në përbërje të të cilit është edhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj.

Ky samit, i cili zhvillohet në vijim të Samitit të Berlinit të vitit të kaluar, synon veçanërisht avancimin e agjendës së ndërlidhjes infrastrukturore, rrugore dhe energjetike, midis vendeve të rajonit dhe BE-së, thellimin e bashkëpunimit për çështje që kanë të bëjnë me arsimimin, kualifikimin, punësimin dhe lëvizshmërinë e rinisë, trajtimin e problematikës në marrëdhëniet dypalëshe, si dhe të sfidave me të cilat përballen bashkërisht vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ato të BE.

Në ditën e parë të aktiviteteve në Vjenë, kushtuar rolit të shoqërisë civile, Ministri Bushati mori pjesë në punimet e sesionit të parë ku u diskutua mbi temën “Roli i BE-së në zgjidhjen e problematikave dypalëshe në Ballkanin Perëndimor që prekin të ardhmen e proceseve integruese”.

“Në Berlin u lanë disa detyra, është krejt e logjikshme që ne në Vjenë të shikojmë progresin që është bërë nga të gjitha vendet dhe institucionet e përfshira në këtë proces, në këtë vështrim do të miratojmë hartën e ndërlidhshmërisë së Rajonit, që do të ndërlidh më mirë rajonin, edhe do ta lidh gjithashtu edhe fizikisht me BE-në më pas mbi bazën e këtyre projekteve do të përcaktohet edhe prioriteti nga pikëpamja e financimit dhe afati për çdo masë. Së dyti do të finalizojmë marrëveshjen për bashkëpunimin në fushën rinore; së treti do të diskutojmë gjithashtu edhe për një mundësi mekanizmi lehtësues përsa i përket mosmarrëveshjeve dypalëshe që kanë vendet me njëra-tjetrën të cilët në të shkuarën janë verifikuar si mangësi që i kanë pasur efektet jo fort pozitive edhe në procesin e Integrimit Europian, edhe gjithashtu do të skicojmë së bas hku prioritetet përsa i përket Samitit të radhës që do të mbahet vitin e ardhshëm në Paris, i cili me gjasë do të jetë i fokusuar te çështjet e sigurisë energjitike dhe korridoreve energjitike në Europën Juglindore dhe posaçërisht në Ballkanin Perëndimor. Në këtë Samit vijmë edhe me marrëveshjet e fundit të nënshkruara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së ku tema që prekin këto marrëveshje kanë të bëjnë edhe me sigurinë,” tha ministri Bushati nga Vjena.

Gjatë ditës së sotme, kryeministri Rama do të marrë pjesë në Forumin e Shoqërisë Civile ku do të diskutohet mbi bashkëpunimin rajonal dhe rolin e shoqërisë civile. Gjatë takimit, do të promovohet, gjithashtu, marrëveshja për hapjen e zyrës së bashkëpunimit rinor rajonal, iniciativë kjo e ndërmarrë nga kryeministrat Rama dhe Vuçiq.