Burri vret me thikë bashkëshorten, krim i rëndë familjar trondit Manastirin

TË FUNDIT

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Manastirin në orët e hershme të mëngjesit, ku një 33-vjeçar dyshohet se ka vrarë me thikë bashkëshorten e tij 31-vjeçare. Sipas informacioneve të para, viktima ka ndërruar jetë në vendngjarje si pasojë e plagëve të marra.

“Punonjës policie nga Sektori i Punëve të Brendshme në Manastir e kanë privuar nga liria 33-vjeçarin A. R. nga Manastiri. Ai dyshohet se mëngjesin e sotëm rreth orës 06:40 ka sulmuar me thikë bashkëshorten e tij 31-vjeçare A. V. nga Manastiri, me të cilën nuk kanë jetuar bashkë, e cila nga plagët e marra ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes”, tha Goce Andreevski – zëdhënës i MPB-së.


Në vendin e ngjarjes ka intervenuar ekipi i Ndihmës së Shpejtë, ndërsa mjeku kujdestar vetëm ka konstatuar vdekjen e 31-vjeçares. Pas ngjarjes, i dyshuari është dërguar në stacion policor dhe po mbahet në ndalim.

“Prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore e Manastirit ka kryer këqyrje në vendngjarje në lagjen Bair, ku një grua u privua nga jeta. Është lëshuar urdhër për obduksion të të ndjerës, ndërsa nga vendi i ngjarjes janë marrë gjurmë dhe prova materiale që do të jenë objekt ekspertize. I dyshuari për kryerjen e veprës penale është privuar nga liria, ndërsa për rrjedhën e mëtejshme të procedurës kundër tij, prokuroria do ta informojë opinionin publik”, thonë nga Prokuroria.

Autoritetet kanë nisur hetime për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa në koordinim me prokurorin pritet të ngrihet kallëzim penal ndaj të dyshuarit.