Bullgaria nuk do t’i thotë PO Maqedonisë së Veriut përderisa në kornizën negociuese nuk sheh garanci se Shkupi zyrtarë do të plotësojë të gjithë pikët nga Marrëveshja për fqinjësi të mirë. Këtë e porositi zv.kryeministrja Ekaterina Zaharieva, në një intervistë televizive. Zaharieva akuzoi se pasi që RMV u bë anëtare e NATO-s, aspak nuk i është përkushtuar pikave të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë. Ajo gjithashtu akuzoi se qëllimisht është zvarritur puna e komisionit të përzier.
Zv.kryeministrja bullgare gjithashtu porositi se nuk do të lëshojnë pe nën asnjë presion dhe nuk do të heqin dorë as nga interesi nacional.
“Nëse shohim garanci në kornizën negociuese, Bullgaria është çdoherë e gatshme të thotë PO, por jo nën presion. Ata shpresojnë se do të ketë presion, mes tjerash, sipas meje, z. Vasillev. Ata me të vërtetë shpresojnë, se dikush, nuk e di kush, Uashingtoni, Berlini, do të vijnë ta qortojnë Bullgarinë dhe Bullgaria do të harrojë interesin nacional dhe do të thotë PO pa bërë ata asgjë”, tha Ekaterina Zaharieva – zëvendëskryeministre e Bullgarisë.
Edhe pse e gjithë bota mori përshtypje se Bullgaria dëshiron ta ndryshojë identitetin maqedonas dhe gjuhën maqedonase, për çka u pyet edhe nga moderatori i emisionit, Zaharieva tha se e gjithë kjo është menduar dhe ka filluar në Shkup si lajm i rrejshëm dhe dezinformatë.
Para dy ditëve në Sofje ishte edhe përfaqësuesi special i Maqedonisë për negociata me Bullgarinë, Vllado Buçkovski. Dërgoi non – paper me të cilin Shkupi zyrtar tregon se nuk ka pretendime territoriale dhe se angazhohet për respektimin dhe realizimin e Marrëveshjes.
“Emri i shkurtër i shtetit tonë Republika e Maqedonisë së Veriut është Maqedonia e Veriut, nuk do të thotë pretendime territoriale ndaj Bullgarisë. Për në fund të takimit kemi edhe non – paper, që do ua japim juve në emër të Qeverisë sonë. Mua më pëlqeu porosia juaj, nuk mundemi ne të përzihemi te historianët, tu japim atyre mjaftueshëm kohë. Siç thoni ju ata do të bëjnë baraspeshë në bazë të fakteve historike”, potencoi Vllado Buçkovski – përfaqësues special i RMV-së.
Për këtë vit ka përfunduar tregimi evropian për Maqedoninë. Edhe pse nga pala bullgare insistojnë se nuk kanë vendosur veto, megjithatë është e qartë se pikërisht për shkak të bllokadës së tyre, nuk do të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare dhe nuk ka fillim të negociatave. Edhe pse në vitin 2021 do të ketë përsëri përpjekje, megjithatë me qëndrimet e tilla të Bullgarisë tashmë askush nuk guxon të thotë se Maqedonia do të fillojë negociatat posaçërisht pasi u bë e qartë se zgjerimi tash nuk është lartë në agjendën e BE./TV21
