Tani për tani ende është e pasigurt kur Kuvendi do të debatojë rreth bisedimeve që udhëhiqen me Bullgarinë për çështjet e hapura. Edhe më e pasigurt është se në cilin Komision përfaqësuesit e qeverisë do të përgjigjen para deputetëve, në Komisionin për politikë të jashtme, që e udhëheq Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE, apo në Komisionin për çështje evropiane, që e udhëheq Arbër Ademi nga BDI. Në agjendën e Kuvendit tani për tani nuk është caktuar debat për këtë çështje. Milloshoski për TV21 thotë se nuk ka caktuar seancë për shkak se ende po i pret dokumentet që Maqedonia dhe Bullgaria i kanë këmbyer në periudhën e kaluar.
“Deri te Komisioni për politikë të jashtme, si trup punues amë ende nuk kanë arritur materialet që i kërkova prej MPJ-së, ndërsa bëhet fjalë për dokumente për të cilat qeveritë e Zaevit dhe Borisovit kanë negociuar në kontekst të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë. Kur t’i marrim këto dokumente që tani për tani janë të fshehta dhe kontroverse, do t’ua dorëzojmë deputetëve dhe do të caktojmë seancë sipas Rregullores. Nëse qeveria nuk ka çfarë të fshehë nga populli, pres që seanca të jetë e hapur për opinionin publik”, tha për TV21, Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE.
Osmani këto ditë i porositi Milloshoskit se është i gatshëm që të referojë para Komisionit për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me politikën e jashtme. Konfirmim arriti edhe nga Qeveria nga thonë se janë të gatshëm para deputetëve të prezantojnë informacione në lidhje me negociatat me Bullgari për çka edhe deputetët e shumicës presin që të mbahet debat.
“Ne si shumicë në kuvend çdoherë jemi të gatshëm për tejkalimin e problemeve dhe për zgjidhjen e problemit që e kemi me Republikën e Bullgarisë, përkatësisht me Sofje. Qëllimi ynë si Qeveri është hyrja në BE-në”, theksoi Daniella Amarkoska – deputete e LSDM-së.
Presidenti Pendarovski në intervistë për MIA paralajmëroi se pret debat të komisionit parlamentar në lidhje me negociatat me Sofjen zyrtare. Ka mundësi që në këtë debat të prezantohet përmbajtja e planeve aksionarë të Maqedonisë si dhe dokumenti i fundit i Bullgarisë në të cilin Pendarovski tha se përsëri janë përfshirë kërkesat e Bullgarisë për gjuhën dhe identitetin maqedonas.
