Bujku nga Haraçina nga viti 2016 pret dëmshpërblim/ Nikollovski nuk ia vret shpresat, thotë se së shpejti do të paguhen

TË FUNDIT

Ky është Ekrem Jahiu nga Haraçina, me profesion bujk. Nga vërshimet e vitit 2016 pësoi dëme të mëdha tek të mbjellat. Dëmi sipas tij ka qenë rreth 10 mijë.

Ndonëse dëmi është vlerësuar nga autoritetet dhe ka përgatitur të gjithë dokumentacionin, thotë se pagesa nuk po bëhet. Ai është përpjekur edhe përmes rrugës gjyqësore të kërkojë drejtësinë, por thotë se tanimë 10 herë seanca po shtyhet pa asnjë arsye.

I revoltuar ai iu bashkëngjit protestave të bujqve në Prespë.

“Në 2016 unë kam pasur dëme prej vërshimeve sikur gjithë fshatrat Hasanbegu dhe disa fshatra të tjerë. Dëmin unë e kam të vlerësuar prej komisionit edhe prej ministrisë së Bujqësisë, presim gati 3 vjet nuk më është paguar edhe pse dokumentet i kam në rregull nuk ma paguajnë dëmin dhe u detyrova të shkoj në gjykatë edhe në gjykatë, atje 10 seanca gjyqësore anulohen dhe obligimin nuk e kryejnë. Ministria e Bujqësisë e ka bërë at obligimin e vet, me dy nënshkrime të ministrave Arianit Hoxha dhe Lubço Nikollovski, ndërsa agjencia për pagesë nuk e paguan dëmin edhe pse i kam dokumentet në rregull as nuk jep përgjigje as po as jo”- thotë Ekrem Jahiu- i dëmtuar nga vërshimet.

Për këtë rast TV21 pyeti Ministrin e Bujqësisë Lupço Nikollovski. Ai tha se të martën është miratuar raporti për dëmet e Haraçinës që ndodhën në vërshimet e vitit 2016, duke siguruar që shumë shpejtë banorët e Haraçinës do t’i marrin dëmshpërblimet e tyre.

“Dëmet në Haraçinë të vitit 2016 janë miratuar nga ana e qeverisë është caktuar përqindje prej 10% për dëmshpërblim, konkretisht e gjithë shuma për këta dëme që janë përcaktuar nga viti 2016 deri në vitin 2018 për të cilat duhej të ndryshoheshin dy ligje që të sjellin rregullore para komisioneve, I gjithë procesi dhe ky labirint që e trashëguam është zgjidhur janë sjellë raportet në qeveri, elaboratet janë miratuar bëhet fjalë për shumë prej 5 milion eurove që duhet të paguhet”- deklaroi Lupço Nikollovski –Ministër I Bujqësisë.

Prej vitit 2016 deri ne vitin 2018 dëmshpërblime të pa paguara ka për 29 komuna të vendit të cilat kanë pësuar dëme nga vërshimet. Qeveria për këta dëmshpërblime ka ndryshuar dy ligje, ligjin për bujqësi dhe zhvillim rural si dhe ligjin për mbrojtje dhe shpëtim dhe është sjellë metodologji e re për përcaktimin e dëmeve, me çka pritet që së shpejti të dëmtuarit të dëmshpërblehen.