Derisa në Ukrainë dhe Moldavi po festohen rezultatet nga Brukseli, zyrtarët e Maqedonisë së Veriut u kthyen me zhgënjimin e pritur se edhe më tutje nuk mund të lëvizim asnjë hap në rrugën drejt anëtarësisë në BE, pasi nuk u realizua kushti për ndryshimet kushtetuese. Po çfarë më tutje? Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se edhe krahas ngecjes së negociatave, BE e ka derën e hapur për ne dhe se pas miratimit të amendamenteve kushtetuese, do të thirret konferenca e dytë ndërqeveritare për hapjen e kapitujve të negociatave. Për ndërprerjen e procesit, Kovaçevski përsëriti se fajin e ka VMRO-DPMNE me bllokimin e ndryshimeve kushtetuese dhe se në fakt, na u përsëriti Bukureshti nga viti 2008.
“Konkluzion i qartë prej të cilit shihet qartë se në Bruksel na u përsëriti Bukuresht 2008, përkatësisht e njëjta partia politike edhe një herë e bllokoi rrugën e Maqedonisë së Veriut në proceset eurointegrative. Bllokada e procesit eurointegrativ të Maqedonisë së Veriut ka emër dhe mbiemër. Kjo është VMRO-DPMNE”, theksoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Megjithatë, ai është i bindur se deri në 2030 do të bëhemi anëtar të BE-së.
“Ky proces nuk do të mbarojë. Procesi i amendamenteve në Kuvend filloi dhe unë jam i bindur se Maqedonia e Veriut ka forcë politike dhe njerëz me vizion të cilët do të miratojnë atë vendim dhe pas hapjes së kapitujve, deri në 2030 do të bëhemi anëtare e BE-së”, pohoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Por, nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikolloski në intervistë në ClikPlus në TV21 pohon se mosvotimi i ndryshimeve kushtetuese nuk është arsyeja për mosfillimin e negociatave, por krimi dhe korrupsioni të lartë brenda pushtetit. Nuk bëhet fjalë për Bullgarinë, tha Nikolloski, kjo po shihet nga fakti se në prag të negociatave janë Ukraina dhe Moldavia, vende prej të cilave njëra është në luftë ndërsa vendi tjetër ka territor të papërcaktuar.
“Disa kryeqytete të mëdha të vendeve europiane mendojnë se Maqedonia nuk është e gatshme për fillimin e negociatave për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit dhe sundimit të së drejtës, dhe nëse janë të bindur se Maqedonia meriton negociata me BE-në, problemin me Bullgarinë do ta zgjidhin brenda një paradite apo pasdite”, pohoi Aleksandar Nikolloski, nënkryetar i VMRO-DPMNE.
Nikolloski tha se gjatë periudhës së kaluar në selinë e VMRO-DPMNE-së erdhën shumë diplomatë që t’i bindin për t’i votuar ndryshimet kushtetuese, por ata nuk pranuan. Ndërkohë, nuk ndalet ofensiva diplomatike ndaj partisë më të madhe opozitare. Të mërkurën kancelari gjerman Olaf Sholc në seancën e Parlamentit europian e thirri opozitën gjermane CDU të reflektojë te partia simotër, VMRO-DPMNE, që ta bindin të votojë për ndryshimet kushtetuese.
