ASh: Spot i njëanshëm për 35-vjetorin e pavarësisë së shtetit! LSDM dhe VMRO-DPMNE përplasen për flamurin me 12 rreze

TË FUNDIT

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ashpër ndaj spotit qeveritar për 35-vjetorin e pavarësisë së shtetit, duke e cilësuar të papranueshme përjashtimin pothuajse tërësor të shqiptarëve dhe mungesën e plotë të gjuhës shqipe.

ASH-ja thekson se materiali, i financuar edhe me taksat e qytetarëve shqiptarë, krijon një narrativë njëetnike dhe përcjell mesazhin se shteti u përket vetëm një komuniteti, duke injoruar kontributin e shqiptarëve në ndërtimin e tij. Sipas ASH-së, shqiptarët kanë qenë pjesë e pandashme e proceseve kryesore politike dhe shoqërore, nga pavarësimi dhe ndërtimi i institucioneve demokratike, deri te anëtarësimi në NATO dhe rruga drejt Bashkimit Evropian.

ALEANCA PËR SHQIPTARËT:

-ASH kërkon nga Qeveria të tërheqë këtë spot dhe të publikojë një material të ri, dinjitoz, përfaqësues dhe gjithëpërfshirës, ku të respektohet gjuha shqipe dhe të pasqyrohet në mënyrë të denjë kontributi i shqiptarëve në historinë, ndërtimin dhe të tashmen e këtij shteti. Njëkohësisht, shprehim keqardhje për heshtjen e përfaqësuesve shqiptarë në Qeveri, të cilët edhe kur preket drejtpërdrejt dinjiteti, identiteti dhe përfaqësimi i shqiptarëve, zgjedhin të heshtin.

Kritika në kuadër të ngjarjeve për shënimin e 35-vjetorin kanë arritur edhe nga opozitarja LSDM, por për një çështje tjetër.

Në një event zyrtar për shënimin e këtij përvjetori është përdorur gabimisht flamuri maqedonas, i cili në vend të 8 rrezeve, shfaqet me 12 rreze të Diellit. LSDM e quan këtë “turp dhe poshtërim” të simbolit shtetëror.

LIDHJA SOCIALDEMOKRATE E MAQEDONISË:

-Qeveria tani të dalë para qytetarëve dhe të thotë: Cila kompani është angazhuar?

Kush ka qenë përgjegjës për skenografinë dhe identitetin vizual? Sa para janë shpenzuar?

Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë poshtërim të simbolit shtetëror maqedonas?

VMRO-DPMNE-ja vlerëson se ngjarja “Ditë e ndriçuar fuqishëm” për 35-vjetorin e pavarësisë e ka bashkuar shtetin dhe është përshëndetur nga qytetarët, ndërsa akuzon Venko Filipçen dhe LSDM-në se me kritikat ndaj projektit po përpiqen ta njollosin atë dhe se kanë shkaktuar dëme ndaj Maqedonisë për dekada.

VMRO-DPMNE:

“Tani LSDM-së i pengon edhe dielli maqedonas dhe instalacioni artistik, ku flamuri nga dielli me shumë rreze shkrihet në flamurin maqedonas me tetë rreze. Fundërrina e shoqërisë nga LSDM-ja, partia e cila dy herë e ndryshoi flamurin, një herë emrin, një herë kartëmonedhat, Kushtetutën, është e fundit që mund të flasë për poshtërimin e shtetit”

Për 35-vjetorin e pavarësisë, Qeveria dhe “Avalon” kanë paralajmëruar një program të madh muzikor, kulmi i të cilit do të jetë koncerti falas i yllit botëror David Guetta më 8 shtator dhe me regjistrim simbolik prej 35 denarësh për person. Përveç koncertit të Guettas, nga 8 gushti deri më 8 shtator do të organizohen edhe dy koncerte të mëdha dhe programe muzikore në 11 qytete, me pjesëmarrjen e mbi 120 artistëve.