Forcat e Armatosura Britanike do të vazhdojnë të mbështesin misionin paqeruajtës të udhëhequr nga NATO në Kosovë (KFOR) për të paktën edhe tre vjet, deri në dhjetor të vitit 2028.
Sipas njoftimit të publikuar nga qeveria britanike, ky angazhim i zgjatur përfshin një forcë rezerve me qindra ushtarë britanikë që janë të gatshëm për dislokim të shpejtë në Kosovë nëse është e nevojshme.
Një nga dislokimet e fundit ndodhi në vitin 2023 pas një sulmi të dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit.
“Angazhimi i Mbretërisë së Bashkuar ndaj paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor është i palëkundur. Duke zgjatur mbështetjen për misionin e KFOR-it, ne po e demonstrojmë rolin tonë si një aleat i fuqishëm i NATO-s dhe qëndrojmë pranë vlerave tona për stabilitet dhe demokraci,” deklaroi kryeministri britanik Keir Starmer.
Ky vendim, sipas qeverisë së Britanisë së Madhe, është pjesë e qasjes “NATO së pari” të përcaktuar në Strategjinë e Rishikuar të Mbrojtjes, dhe synon forcimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe mbrojtjen e interesave britanike.
Njoftimi për zgjatjen e mandatit erdhi në ditën kur kryeministri Starmer po pret në Londër Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, ku po diskutohet bashkëpunimi i shtuar për të adresuar sfidat e përbashkëta, përfshirë migrimin e parregullt.
Ministri për Forcat e Armatosura, Al Carns, theksoi rëndësinë e misionit.
“Trupat tona kanë kryer qindra misione ndër vite në mbështetje të KFOR-it dhe ky vazhdim i angazhimit do të ndihmojë që Kosova dhe Ballkani Perëndimor të jenë më të sigurt. Ruajtja e paqes është një pjesë kyçe e përkushtimit tonë për ta mbajtur Mbretërinë e Bashkuar të sigurt në shtëpi dhe të fuqishme jashtë saj”, tha Carns.