Mbi 2.300 vende të reja të punës janë hapur në kompanitë e ZZHTI nga fillimi i vitit. Numri i të punësuarve në përmbyllje me nëntorin është rritur në 16.300, që do të thotë rritje për 17 për qind për vetëm një vit. Vetëm në nëntor janë hapur pothuaj 300 vende të reja të punës, kumtoi Drejtoria e Zonës Zhvillimore Teknologjike Industriale.
Trendi pozitiv i rritjes nga fillimi i vitit vazhdon edhe lidhur me eksportin dhe importin. Në përmbyllje me nëntorin, eksporti nga ZZHTI ka arritur pothuaj 3,5 miliardë euro, që është niveli më i lartë nga ekzistimi i zonave. Analizat tregojnë se eksporti nga janari e deri në nëntor të këtij viti është për 27 për qind më i lartë se gjatë periudhës së njëjtë të vitit 2021, respektivisht për 49 për qind më i lartë se krahasuar me vitin 2020. Kompanitë në zona, vitin 2021 e kanë përfunduar me eksport prej tre miliardë euro për një vit, që ishte nivel rekord deri tani.
Nga janari e deri në nëntor të këtij viti u regjistrua import prej 3,09 miliardë euro, që është për 17 për qind më shumë se krahasuar me 11 muajt e parë të vitit 2021, respektivisht për 60 qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020. Në përmbyllje me nëntorin vazhdon edhe rritja e neto eksportit, i cili ka arritur 12,3 për qind. Vetëm në nëntor neto eksporti është pothuaj 23 për qind, që mes tjerash ka të bëjë me aktivitetet e rritura investuese në Zona dhe numrin e rritur të vendeve të punës.
Pritet që trendi i tillë pozitiv të aktiviteteve ekonomike në zona të vazhdojë deri nga fundi i vitit, njoftojnë nga Drejtoria e ZZHTI-së
