Para zyrave të Bashkimit Evropian në Shkup, partia “Koncepti maaqedonas” filloi fushatën për Zgjedhjet Parlamentare 2020. Kryetari Petar Bogojeski tha se këtë e bëjnë në formë simbolike të vizionit të tyre “për evropianizim të tërësishëm të Maqedonisë të bazuar në ideologjinë e logjikës së shëndoshë”.
“Nëse jemi për rregulla evropiane të sjelljes, për vlera evropiane, ashtu edhe duhet të sillemi në këtë fushatë! Thërrasim për atmosferë të drejtë dhe demokratike. Pa bërje të pokitikës në mënyrë ballkanike, e njohur për korrupsion dhe pasurim të disa strukturave në llogari të qytetarëve. Jemi këtu t’u tregojmë se cilat janë problemet dhe çfarë duhet të bëhet që ato të zgjidhen, ndërsa vendimi është plotësisht i juaji. Ju keni të drejtë për mendim ndryshe dhe nëse keni besim tek ndokush tjetër, lirisht drejtohuni atje, pa hidhërime. Ne jemi këtu të ofrojmë zgjidhje, e jo të debatojmë me partitë politike. Është koha që kjo të ndalojë, është koha që qytetarët ta kthejnë shtetin në duar e tyre” tha Bogojeski.
Ai tregoi se karvani zgjedhor do të nisë duke kaluar në mënyrë simbolike në rrugën “Maqedonia”, më pas në sheshin “Maqedonia”, Urën e Vjetër të Gurit, të cilin e quajti simbol të tolerancës dhe lidhjeve fetare dhe etnike në Maqedoni, më pas në Çarshinë e Shkupit e në fund do të jenë tek Sheshi “Skenderbeu”.
“Mendoj se mesazhi është i qartë. Ne u drejtohemi të gjithë qytetarëve, pa dallime të identitetit etnik, fetar apo partiak. Të gjithë qytetarët së bashku, për shtet normal, është e radhës ta marrim kontrollin në duart tona, mjaft durojmë! Kjo është revoltë e asaj që na ndodh në 30 vitet e fundit, pa dallim se cila parti ka qenë në qeveri. Kjo nuk është luftë mes së djathtës dhe së majtës, por luftë mes së vjetrës dhe së resë, mes së mirës dhe së keqes. Duan të jetojmë në qetësi, duam jetë normale, në shtet fer dhe qytetar. Në shtet pa parti etnike” u shpreh kryetari i Konceptit Maqedonas.
Bogojeski po ashtu tha se duan balancë mes pushtetit dhe opozitës, pokitikë të lirë, dëmshpërblim të qytetarëve, drejtësi dhe siguri që do t’i ndjente secili. Po ashtu tha se synon për të shqyrtuar burimin e pasurisë së secilit politikan, lustrim financiar. Synojnë po ashtu shëndetësi efikase dhe arsim të vërtetë, ose siç tha, sistem ku do të ketë përgjegjësi për politikanët dhe pushtetarët. Kryetari i Konceptit Maqedonas shtoi se partia e tij dëshiron partneritet me të rinjtë dhe që fëmijët të kenë të ardhme më të mirë.
“Sistemi i vjetër u tregua si i pandreqshëm, duhet patjetër të ndërtojmë sistem të ri modern dhe demokratik, ndërsa i vjetri ngadalë të shuhet. E gjitha kjo është e mundur vetëm me qytetarë të pasur. Në vend kemi mafia të pasur, parti të pasura, koha është të kemi qytetarë të pasur. Mjaft është, ky është shansi i fundit t’i ndryshojmë gjërat. Është koha të zgjohemi dhe ta kthejmë shtetin në duart e qytetarëve” tha Bogojeski.
Ai ftoi qytetarët të votojnë numrin 10. Tha se janë parti qytetare, me lista qytetare, me kandidstë të pavarur e që mbështetet nga një parti, SDU./TV21
