Kryetari i komunës Qendër, Sasha Bogdanoviq, paralajmëroi se do të donte të merrte mandat të dytë që të mund të udhëheqë me komunën më tërheqëse në Shkup. Ai konsideron se duhet të marrë mbështetje për kandidaturën e tij, që të mund, siç tha, t’i çojë deri në fund projektet që i ka nisur.
“Komuna Qendër tregoi gatishmëri për të bërë disa ndryshime rreth gjërave për të cilat mendon se nuk janë në nivel të kënaqshëm, respektivisht gjëra të cilat nuk plotësojnë standarde të caktuara. Por, përkundrazi duhet parë edhe të gjitha ato që i arritëm, edhe përkundër moratoriumit me ndërtimin e projekteve kapitale. Dëshira dhe ambicia jonë është t’i vazhdojmë, respektivisht t’i çojmë deri në fund të gjitha politikat, projektet dhe planet që i kemi filluar”, tha Sasha Bogdanoviq, kryetar i Komunës Qendër.
E cilat ishin planet e Bogdanoviqit, gjegjësisht premtimet katër vjet më parë? Premtimi më i madh ishte moratorium për ndërtim, që rezultoi me paralajmërim se te “Holidej In” do të ndërtohen ndërtesa shumëkatëshe. Bogdanoviqi nuk beson se kjo gjë do të ndikojë mbi kandidaturën e tij.
“Nuk mund të ndikojë për shkak se komuna e Qendrës tregoi gatishmëri se dëshiron të bëjë ndryshime, normal kishim aktvendim nga Gjykata kushtetuese i cili është kyç dhe na ndali në aktivitetet e tilla, por ne nuk hoqëm dorë. Unë disa herë përsëris se politikën tonë do ta zbatojmë me ndryshimin e Planeve të detajuara urbanistike”, deklaroi Sasha Bogdanoviq, kryetar i Komunës Qendër.
Para se ta marrë mandatin, një prej premtimeve kryesore ishte premtimi për ajër më të pastër me paralajmërime për kullën për pastrimin e ajrit.
“Do të fillojmë me ndotjen e ajrit për shkak se ambienti i pastër jetësor dhe ajri i pastër janë prioritet për të gjithë. Do të investojmë në kullën për pastrimin e ajrit por edhe me ndërtim të rrjetit të gazsjellësit për konsumatorët më të mëdhenj në komunë, me çka presim që në mënyrë drastike do të ulet ndotja e ajrit në dimër”, deklaroi Sasha Bogdanoviq, kryetar i Komunës Qendër.
Por, as kulla u ndërtua e as rrjeti i gazsjellësit, ndërsa qytetarët çdo vit ngulfaten në ajër të ndotur. Ai premtoi park urban dhe më shumë gjelbërim, por si duket ai ka menduar për parqe të parregulluara që nuk mirëmbahen. Para pak kohe ai i preu drunjtë në Debar Maallo pas çka qytetarët dolën në protestë. Tani, para zgjedhjeve, komuna Qendër filloi procedurë për blerjen e pajisjeve urbane, ulëse, shporta, mbajtës për biçikletë, stacion për mirëmbajtjen e biçikletave, shtylla vertikale dhe lule. Në fushatën për mandatin e parë ai premtoi zgjidhje të problemit me mungesën e vendeve të lira nëpër çerdhet, me ndërtim të një çerdheje bashkëkohore, kinema në të hapur, sallë të re për Rabotniçki.
“Do të ndërtohet sallë e re sportive për klubin tonë Rabotniçki, do të investojmë për më shumë gjelbërim dhe zona të reja për këmbësorët”, tha Sasha Bogdanoviq, kryetar i Komunës Qendër.
Para dy vjetëve, Bogdanoviq u lëvdua me lëshimin në përdorim të shkollës së re fillore Kiro Gligorov, ndërtimi i së cilës kishte filluar para mandatit të tij.
