“Bllokimi i Kuvendit rrezikon 50 mijë vende pune”! Ministri Bekteshi paralajmëron, opozita fajëson pushtetin

TË FUNDIT

Bllokimi i ligjeve në Kuvend, rrezikon rreth 50 mijë vende pune, paralajmëroi mbrëmë në ClickPlus ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Ai nuk sheh arsye që të bllokohen ligje që siç thotë janë në interes të sipërmarrësve dhe ruajtjeve të vendeve të punës përmes subvencionimit të pagave.

 “Me pamundësinë e fillimit të implementimit deri në fund të këtij muaji ne rrezikojmë diku rreth 50 mijë vende të punës dhe besoj se opozita ka marrë mandatin por njëkohësisht edhe përgjegjësinë që nëse nuk pajtohet me zgjidhjet ligjore që ka propozuar qeveria, të ndërhyjë në përmirësimin e po të njëjtave ligje dhe jo t’i bllokojë drejtpërdrejt”, deklaroi Kreshnik Bekteshi – Ministër i Ekonomisë.

Nëse Qeveria dhe ministri janë vërtetë kaq të shqetësuar për humbjet e vendeve të punës, deputetja e koalicionit Aleanca-Alternativa, Ilire Dauti, thotë se ditën që u votua besimi i Qeverisë, shumica ka mundur të kërkojnë që në rend dite të futen edhe pakot ekonomike, në një kohë kur opozita shqiptare as nuk kishte filluar të bllokojë me amendamente.

 “Ligjet që kanë të bëjnë me sigurimin e pagës minimale për subjektet afariste dhe për personat fizik për muajt shkurt dhe mars, ata pikërisht muajin shkurt dhe mars i përfshijnë, ndërkaq ju e shihni që ne jemi në fund të marsit dhe sipas propozim-ligjit ku janë të potencuara se gjer më 12-tin personat fizik dhe subjektet afariste kanë të drejtë të aplikojnë veçmë kanë kaluar, dhe po ashtu data 15 mars kur drejtoria e të Ardhurave Publike është dashur të japë përgjigje po ashtu ka kaluar”, u shpreh Ilire Dauti – deputete e koalicionit ASH-AAA.

Deputetja opozitare thotë se bllokimi i tyre ka ardhur si pasojë e bllokimit që pushteti i ka bërë ligjit për shtetësi, andaj zhbllokimi i të njëjtit mund të sjellë edhe zhbllokimin opozitar për ligjet e ndryshme.

Nëse pushteti me të vërtetë është i shqetësuar, i kanë të gjitha mundësitë të bëhet zhbllokimi, përfundon ajo, duke u shprehur se do bllokojmë çdo ligj që vjen në Kuvend deri sa nuk gjendet një zgjidhje për shtetësinë.

Ndërkaq mbrëmë në ClickPlus, Bekteshi shprehu gatishmërinë për gjetjen e një zgjidhjeje si për ligjin për shtetësinë, po ashtu edhe për bisedime si me opozitën shqiptare e atë maqedonase për implementimin e masave që dalin nga pakoja e 5-të.