Agjencitë e patundshmërisë propozojnë ndryshime ligjore! Për të stimuluar tregun, personat fizikë nga rajoni dhe vendet joevropiane të mund të blejnë lirisht pasuri të patundshme në vend. Rregulloret ligjore ekzistuese i lejojnë vetëm qytetarët e BE-së dhe SHBA-së të blejnë pasuri të patundshme, ndërsa qytetarët e vendeve të rajonit janë të diskriminuar, sepse duhet të jenë persona juridikë. Agjentët e pasurive të patundshme nga Struga thonë se ka interes të madh për apartamente dhe banesa nga blerës potencial nga vendet fqinje, por ligji nuk i lejon.
“Kemi një problem këtu. Sipas ligjeve në vend, qytetarët si persona fizikë nga Shqipëria, Mali i Zi, Kosova, Serbia nuk kanë të drejtë të blejnë. Ata kanë të drejtë të blejnë vetëm si persona juridikë. Qytetarët e BE-së kanë të drejtë. Tani sikur të hiqej kjo ndalesë se me ata shtete nuk është kështu”, tha Inajet Pollozhani, agjent i patundshmërive.
Për të stimuluar më tej tregun e pasurive të paluajtshme në vend, nevojiten ndryshime edhe në kreditimin e diasporës. Ndonëse janë të kreditueshme, bankat në vend janë në kërkim të garantuesve.
“Së pari duhet hequr ndalimi dhe së dyti një element që mund të ndikojë në rritjen e pasurive të patundshme. Banorët tanë të cilët janë në diasporë dhe jashtë vendit sipas dëshirës mund të kreditohen për blerjen e patundshmërive këtu”, pohoi Inajet Pollozhani, agjent i patundshmërive.
Vitet e fundit, çmimet e pasurive të patundshme në vend kanë shënuar rritje të vazhdueshme. Sipas të dhënave të Bankës Popullore, në tremujorin e fundit të vitit të kaluar është shënuar rritje vjetore e çmimeve të apartamenteve prej 20.6%.
